7/14/16

Po harrohemi!

Po harrohemi!
A e ndjen?
Sa minuta kemi që s'flasim?
Sa orë?
Sa ditë?
A i numëron siç bëj unë,
Apo e mbush boshllëkun që t'kam lënë, me të tjerë?
Mos e bej! S'do të ta falja kurrë, nëse më ke zëvendësuar me të tjerë!
Ti e di, që e urrej të krahasohem. Mos e bëj!
Përse nuk e lë menjeanë atë dreq krenarie dhe t'i hapësh veç një derë dashurisë? Veç një!
A e di se sa bosh ndihem pa ty,
Sa të pakuptimta më duken ditët,
Sa i përhumbur shkoj rrugëve,
Sa i mendueshëm nëpër kafe...!
Është i gjithi faji yt.
Erdhe plot gëzim, dashuri dhe hare.
Dhe ike duke lënë brengë, shkatërrim, vuajtje!
Përse, përse, përse?!
Sa furishëm po përmbysen retë në këtë mbasdite maji.
A të ka ndodhur t'i shikosh me vëmendje dhe të vëresh fytyra njerzish në to? Mua po.
Ja, tani po shikoj fytyrën tënde tek një ré e stërmadhe.
Shikoj kaçurrelat e tua, buzët, sytë...
Më mungon, dreqi e marrtë!!!
I kisha premtuar vetës që s'do të shkruaja më, por s'ia dola dot,
Doja që ta dije sa më mungon.
Blloku im i poezive është mbushur plot
Plot me emrin tënd.
Çdo ditë një poezi,
Në çdo poezi i njëjti emër, e njejta vajzë, e njëjta dashuri, e njëjta dhimbje.
Po t'i publikoja, njërzve do t'u vinte keq për mua, ndoshta do të ndjenin edhe mëshirë, por unë mëshirën nuk e dua nga askush, sepse s'është për t'u mëshiruar dikush që dashuron.
Uroj që më vonë të nis shiu.
Vetëm ashtu do të të kujtohet një djalë që e përziente dashurinë me shiun në një poezi, si kafen me sheqerin në një filxhan,
Por nëse të dytën e pinte me fund, të parën as që arrinte ta përtypte dot!
Në djall të vaftë, ajo dreq krenarie!
Në djall, ajo mendje f'minore!
Në djall pëqafimi yt!
Në djall heshtja jote!
Në djall le të shkojë gjithçka,
Veç, ti, o shi, eja sa më shpejt.
Eja dhe kurrë mos ndalo!
©- Izmir Todaj, Tiranë : 26 maj 2016

No comments:

Post a Comment