5/5/16

Në gjoks të Atdheut – vargan kuqalosh



Se ç’na çeli fusha,
mali ç’na gjethoi,
nga çdo gur mermeri,
vjen një zë heroi.
Na vjen zëri i luftës,
nga shokët e rrallë,
që i rrinë kohës,
si yje në ballë.
Ku na mbetën djemtë,
ku jini-o trima?
-Dritë e zjarr u bëmë,
nëpër vetëtima!
Ku na mbetën vajzat,
ku u shkoi rinia?
-Nuse me të kuqe,
na veshi Liria!
Vashëza syzeza,
djelmosha syzinj,
mbetët-o përjetë,
siç ishit-të rinj.
Në gjoks të Atdheut,
vargan kuqalosh,
që nga Konispoli,
e gjer në Vermosh.
Ju shohim sërish,
si kohëve të zjarrta,
rrethuar me yje,
dhe germa të arta.
E ju ndjejmë zërin,
zjarr revolucioni,
betejë pas beteje,
skalion pas skalioni.
“Jam dhe do të mbetem,
përjetë komunist,
dridhu-ti gjykatës,
dridhu-ti fashist!”
Zëri i Qemal Stafës,
zemrat na rrëmben,
Maji ngre flamujtë,
pranvera shpërthen.
Përmbi tonin-flamur,
ngrihet Vojo Kushi,
me fytyrë të gjallë,
ndezur porsi prushi.
Përshëndet me grusht,
nga Kodra e Kuqe,
i bulojnë në ballë,
plagët si burbuqe.
Me lule dhe armë,
ulur midis nesh,
trimi Vasil Laçi,
ëmbël buzëqesh.
Krehur flokët-o,
zjarrit e stuhisë,
i bukur si shkoi,
në gji të Lirisë.
Ç’po këndon si dje,
pranë çdo istikami,
Internacionalen,
Manush Alimani.
Stolisur me yje,
e bardhë si drita,
me trakte në dorë,
na vjen Margarita.
Nuse-përmbi rrap,
me krahë petriti,
ngrihet Persefoni,
dhe Bule Naipi.
O heronj të rinj,
shokët tanë të rrallë,
Maji ju stolisi,
me lule në ballë.
Vini radhë-radhë,
si shkonit furtunës,
heronj nga të luftës,
heronj nga të punës.
Krah për krah me Zonjën,
shqipen si shigjeta,
dallgëve ndrin e kuqe,
Zeliha Allmeta.
Zjarr e ndezi detin,
Mujo Ulqinaku,
sërish kundër hasmit,
Frani ç’e përflaku.
Flakë si Vojo Kushi,
flakë ish e flakë mbeti,
flakë Ilia Kiçi,
sa s’e shuan deti.
Ylli Zajmi-yll,
Shqipërisë i çeli,
si Perlat Rexhepi,
si Asim Zeneli.
Vashëza syzeza,
djelmosha syzinj,
mbetët-o përjetë,
siç ishit të rinj.
Në gjoks të Atdheut,
vargan kuqalosh,
që nga Konispoli,
dhe gjer në Vermosh.
Në të gjithë shekujt,
këtu do të ndrijë,
numuri i shenjtë,
Njëzet e Tetë Mijë.
Tiranë, më 5 Maj 1977 Në gjoks të Atdheut – vargan kuqalosh

No comments:

Post a Comment