7/14/16

MUNGESE


Kur lapsi im shkruante për ty,
Gjithmonë krijonte një kryevepër.
Imazhi yt, ishte referimi im në poezi;
Frymëzim magjik, edhe më tepër!
Më duhej vetëm ndonjë detaj i vogël
Dhe çdo gjë shkrihej në përsosmëri.
Me një varg, botën e madhe e bëja gogël,
Me një fjalë t'vetme, ty t'bëja perendi.
Por, diçka ndryshoi mes nesh, o shpirti im;
Dashuritë e mëdha jetojnë të ndara!
Fajin po e mbaj unë, nuk do e lë jetim,
Por ti, ti pse nuk je më ajo e para?!
Përse e le një poet, pa varg dhe rimë,
Kur e dije që, ti ishe vargu më i bukur?!
Kur e dije që, ishe i vetmi frymëzim;
Mbrëmja pranverore e një dite të lumtur.
Nëse do të thoja, "Më Mungon", s'kam thënë asgjë!
Fjalëve të tilla u ka dalë boja.
Por, nëse do e shprehja mungesën me zë,
Kurrë më nuk do më fliste goja.
©-Izmir Todaj.

No comments:

Post a Comment