7/14/16

PER NJE PERQAFIM


Si një ëngjëll, ti, vjen dhe ikën,
Në zemrën time ndërtove fole.
N'shumë ''Zambakë'' e kalon ditën,
Por natën, veç me një poet fle.
Ti arrite t'më pushtosh me ata sy,
Dhe tani më turturon për gjëra të kota.
Më mjafton veç një përqafim nga ty,
Por ti s'ma jep edhe po t'shembet bota!
Ti arrite t'më bësh rob tëndin përjetë,
E unë të jam dorëzuar pa luftuar.
Ty ta dhurova çdo gërmë mbi fletë,
Se s'di luftë tjetër një poet i dashuruar.
Tani kam nevojë që të të shoh në sy,
Dhe të të pyes me zërin tim të dridhur:
-A mund ta kem një përqafim nga ty,
Vetëm një, dhe i qetë kam për të ikur?
Do të mbyllem në do kështjella t'largëta,
Atje, ku as drita e diellit nuk depërton.
Keshtu nuk do të vuaj më kur t'bie nata,
Për atë përqafimin që fort më mungon.
©-Izmir Todaj, Tirane : 14 maj 2016.

No comments:

Post a Comment