7/14/16

ME MUNGON


Lëngoj nga dhimbja i dorëzuar,
Në shtratin tim, sikur një plak.
Rrudha në ballë, mjekrën parruar,
Si Gjergj Elez Alia me nëntë plagë.
Nis mëngjesi dhe ndoshta vjen darka,
Në gjashtë metra katror shpirti lëngon.
S'di në është ditë, apo ka ardhur nata,
Di vetëm diçka; Ti fort më mungon!
S'di kur lind dielli as kur perëndon,
S'di... Po ç'rëndësi kanë keto për ty!
Dua ta di; Me mall kë po përqafon?
Kujt po i flet ëmbël, plot dashuri?
Si munde t'më harrosh aq lehtë,
T'ma kthesh shpinën, të ikësh tutje?!
I mallkuar qofsh, more qytet,
Që kurrë s'ma dëgjove një lutje!
Mallkuar qoftë edhe shikimi yt,
Me përshëndetjen në vend të lamtumirës!
Unë s'jam Azem Shkreli i dytë,
Por veç thjeshtak që i dorëzohet errësirës.
©- Izmir Todaj, Tiranë : 21 Prill 2016

No comments:

Post a Comment