12/29/14

Trëndafili i Çamërisë

Ah Trëndafil i Çamërisë
Te Qafa e Botës u nda bota jonë
E unë shumëherë u turpërova pranë fletës së bardhë
Që m’u desh ta mbush me shkronjat e zeza të pafuqisë
Shumë herë u turpërova nga dheu pa mëmë e mëma pa dhe
Se njërën pa tjetrën se quaja dot mëmëdhe



Një natë në ëndërr m’i pëshpërite ca fjalë të qëmotshme:
Më the: “Jemi tre: ti, unë e dhimbja.
Nëse vjen, dhimbjen do ta mund me ty
Nëse s’vjen, dhimbja do na mundë të dy”
Të thashë: ja ku jam, po flasim me një zë
Por ëndrra na iku e ne s’ishim Një


Ah Trëndafil i Çamërisë!
Do të doja të më shponin gjembat tu
Që ta ndjeja afërsinë tënde thellë në brendinë e qenies
Që trupi im të përgjakej për hir të aromës sate
Se shpirti i mërzitur nga mungesa e asaj që do
I ngjanë shpirtit të mërzitur nga prania e asaj që nuk e do
E prania e jetës pa ty, më bënë që asnjë pamje të mos m’i kënaq këta sy


Mbase nuk di të shkruaj por dhimbja më bëri poet
Këto fjalë nuk vijnë në botë nga lapsi por nga malli i ndarjes
Si mund të bëjë trupi diçka që shpirti s’e mban brenda e tij?
Si mund të shkruaj e të mos jem vetë poezi?
Si mund të të puth edhe një herë o trëndafil në Çamëri?
E të mbahem mend si puthje e përgjakur në histori!


Njëzet e shtatë qershor!
Më shumë se njëzet e shtatë dhimbje për shpirtin njerëzor
Ky muaj që shënon mesin e vitit
Më bën të mendoj për ditën kur do ndahet trupi prej shpirtit
Trupin nuk mund t’ua lë amanet se ai i takon tokës
Shpirtin nuk mund t’ua lë amanet se ai i takon Qiellit
Amanet vetëm këtë poezi t’ua lexoni të gjithë njerëzve të mi
Për Trëndafilin tim të tharë në Çamëri
Nëse e kërkojnë përgjigjen time të fundit,
Mund ta gjejnë në pyetjet e mia,
A mund të mos shkaktojë dhimbje ndarja pa dëshirë?
A mund të mos ua kujtojë ndarjen fjala “lamtumirë”?


No comments:

Post a Comment