12/18/14

Himn për Dritëro Agollin...


Më kullon muzikë çdo eshtër,
fryn ngado një erë e mirë,
të këndoj për Ty-o Mjeshtër,
nuk e kam aspak vështirë.
Miku im që linde herët,
pak prej vesës- pak prej dritës,
dhe shkëlqeve mbi të tjerët,
porsi Ylli i Afërditës.
Ajo flakë e ajo dritë,
që shndriti nga Dritëroi,
të verbrit i çeli sytë,
dhe të ligun e verboi.
Në shpirt poezinë e rrite,
herë si mushkë e herë si kece,
kjo e ëmbla gjuha shqipe,
pa Ty do të qe memece!..
Tek Ajo zbulove arin,
dhe e bëre të florinjtë,
zbulova flakën dhe zjarrin,
edhe hirin dhe thëngjijtë.
Tek Ai shqipja jehoi,
si këmbanë prej floriri,
ndaj dhe mbeti Dritëroi,
nëpër shekuj më i miri.
Se m'i nise ato muza,
porsi bletët nëpër lule,
ndaj veç mjaltë të rrodhi buza,
ndaj si shkëmb gjigand u ngule.
U ngule në shpirt të këngës,
shpirt i tëri ti je vetë,
ndaj s'ja ndave gazin brëngës,
ndaj dhe je kaq i vërtetë.
Shikoj Majën ku je ngjitur,
Majën që kam parë gjithë jetën,
dhe aspak s'jam i çuditur,
pse aty je krejt i vetëm!
Maja është krejt e thepisur,
me dëborë e me stuhi,
për aty qindra janë nisur,
po një Majë s'ka vend për Dy!..
Ti s'mërzitesh aty vetëm,
ke dashnoren-poezinë,
vetëm do ta shkosh gjithë jetën,
se Zotat të vetëm rrinë!
Kur këndoj për Ty-o Mjeshtër,
nuk bëj punën e çirakut,
ndiej në dej e në çdo eshtër,
si gjëmon vulkani i gjakut!..
Xhindet-Zanat më kanë thënë,
s'ka si Dritëroi i Vjetër,
atë Majë ma ke zënë,
ku ta gjej në Majë tjetër?!
Do të jemi ballë për ballë,
që të dy në ato maja,
perëndia na mban gjallë,
se i dimë gjuhët e saja!..
Miku im i poezisë,
kjo patjetër do të ngjajë,
kush di t'i flasë Perëndisë,
e ka vendin pranë saj!.
Pranë Zotit ti do shkosh,
t'i zbulosh gjithë sekretet,
Maja jote s'do rrijë bosh,
them se mua do më mbetet.
Do shkojnë vitet pa u parë,
xhelozi s'do ketë pastaj,
ti me Zotin barabar,
e unë pak më poshtë-në Majë!
Ky është fat me pikatore,
mund të ndodhë një herë në shekull,
ndaj të ndrin ajo Brerore,
porsi Diell përmbi vetull!
Zoti që është lodhur shumë,
qëkur frymë i dha Planetit,
mund të marrë një sy gjumë,
dhe t'ia lërë vendin poetit.
Kjo do ishte Kryevepër,
sa askush s'do ta besonte,
nga muza jote-patjetër,
gjithë globi do këndonte!
Dridhen sytë e mi të zinj,
dridhen nga kristal i lotit,
ajo këngë e florinjtë,
do të qe Ninull e Zotit!
Mos mendo s'e s'të kujtoj,
të kam në mes kraharorit,
do vij vetë të të uroj,
ditën e njëqind vjetorit.
Paqe paç i Madhi Burrë,
nga Njeri-u bëre Diell,
fjalën e gdhënde në gur,
emrin e gdhënde në qiell!

No comments:

Post a Comment