gjithmonë e më tepër
çuditem
si dola nga barku yt dhe ti je ime bije.
Sepse je e vogël, mama, e pafajshme
dhe lotët i ke të brishtë e të rinj.
Ti që u plake dhe qan si foshnje
kur duhet të gëzohesh
e që pikëllimi të ndjek si urith
pikërisht kur liria hap një shteg.
Po ti je e vogël, mama, e
pafajshme...
O zot, ç'deshi një njeri si ti
në këtë botë të sprovuar...
Ti akoma s'ke mësuar të gënjesh,
e shtrenjtë dhe duart i ke si dy
bonbone të vogla, të emblat duar, të sheqerta
nga lotët e tu.
Mirëserdhe mama!
Ja shtëpia, filaxhani i kafesë dhe mirësjellja ime
të serviret me kujdes, sofostike është, megjithatë
në modë...
Çoje kokën, përse qan?
Bijtë e tu janë rritur tashmë-
bisha sfiduese, s'i ndjek dot rreziku;
ty të duan
mishëredhimbsur, mama,
nuk të harrojnë,
më mirë vdesin,
Ke dhe ti në zemrën e tyre një dritare,
një oval gëzimi, drite e shprese,
sepse të tutë ishin naivët,
si kuaj lufte, me sytë e mëdhenj
ushqyer me ujëra kroi.
I deshe fort, mama, siç dite i deshe,
i mallkove fort, mama, sa munde i mallkove,
me zërin që e kishte si varg rruazash mbi gur...
Dikur...e mban mend, mama?
Në shtëpi këndoje,
ishe e re, e bukur
tani e kuptoj.
Perëndimi vdiste i lumtur për atë lloj kënge,
dhe syri yt i lumtur për atë lloj kënge,
dhe jeta ishte organike, mama:
luanin kalamajtë,
naivët që ti i rrite me delir horizonti...
Ja ku i ke perballë, të rrahur me jetë e me sprovë,
fëlligështia i ka vrarë, por gjakun nuk ua ka stërpikur.
Janë të virgjër, mama, t
janë të virgjër,
lakuriq të pambrojtur, me gjithçka të fituar me
dhëmbë.
Mos i shaj, mama, se bën faj. Mos i truaj.
Të kanë dashur, mama, të kanë dashur.
I duaj. (Kurrë prindi nuk mund të
mbërrijë dashurinë e fëmijës.)
Kthehu, ec në vete, mama,
mos qaj më.
Janë të fundit vjetë të tutë, në
këtë fëmijëri të dytë
mund të ngrohë pak dielli,
po t'i terësh sytë
Fshiji lotët, mama, jemi dërrmuar,
të buzëqeshësh pak, kjo është bukë për ne.
O fëmija im i dëshpëruar,
mëkati më i madh i perëndisë mbi dhe!
No comments:
Post a Comment