12/29/14

Trëndafili i Çamërisë

Ah Trëndafil i Çamërisë
Te Qafa e Botës u nda bota jonë
E unë shumëherë u turpërova pranë fletës së bardhë
Që m’u desh ta mbush me shkronjat e zeza të pafuqisë
Shumë herë u turpërova nga dheu pa mëmë e mëma pa dhe
Se njërën pa tjetrën se quaja dot mëmëdhe



Një natë në ëndërr m’i pëshpërite ca fjalë të qëmotshme:
Më the: “Jemi tre: ti, unë e dhimbja.
Nëse vjen, dhimbjen do ta mund me ty
Nëse s’vjen, dhimbja do na mundë të dy”
Të thashë: ja ku jam, po flasim me një zë
Por ëndrra na iku e ne s’ishim Një


Ah Trëndafil i Çamërisë!
Do të doja të më shponin gjembat tu
Që ta ndjeja afërsinë tënde thellë në brendinë e qenies
Që trupi im të përgjakej për hir të aromës sate
Se shpirti i mërzitur nga mungesa e asaj që do
I ngjanë shpirtit të mërzitur nga prania e asaj që nuk e do
E prania e jetës pa ty, më bënë që asnjë pamje të mos m’i kënaq këta sy


Mbase nuk di të shkruaj por dhimbja më bëri poet
Këto fjalë nuk vijnë në botë nga lapsi por nga malli i ndarjes
Si mund të bëjë trupi diçka që shpirti s’e mban brenda e tij?
Si mund të shkruaj e të mos jem vetë poezi?
Si mund të të puth edhe një herë o trëndafil në Çamëri?
E të mbahem mend si puthje e përgjakur në histori!


Njëzet e shtatë qershor!
Më shumë se njëzet e shtatë dhimbje për shpirtin njerëzor
Ky muaj që shënon mesin e vitit
Më bën të mendoj për ditën kur do ndahet trupi prej shpirtit
Trupin nuk mund t’ua lë amanet se ai i takon tokës
Shpirtin nuk mund t’ua lë amanet se ai i takon Qiellit
Amanet vetëm këtë poezi t’ua lexoni të gjithë njerëzve të mi
Për Trëndafilin tim të tharë në Çamëri
Nëse e kërkojnë përgjigjen time të fundit,
Mund ta gjejnë në pyetjet e mia,
A mund të mos shkaktojë dhimbje ndarja pa dëshirë?
A mund të mos ua kujtojë ndarjen fjala “lamtumirë”?


12/27/14

Sulmi

Ta shemba shkjah kufirin
që ngrite ti
në vendin tim e përmbi varr
të babës tim.
Ta shemba,
ta dogja,
me zjarrin e shpirtit,
të vuajtjes
dhe të urrejtjes.
Me zemërim,
me vrull të madh,
e bubullimë
që s’ka mbarim
Se vjete ti më çave,
më ndave,
më vrave,
armik – lugat,
armik -xhelat!
Ti bëre azape:- s’u tremba.
Ti ngrite kufire me gjemba,
fortesa ti ngrite:
t’i shemba!
Tani!
Tani!
Atje ku ti
o Mal i Zi
ngrite kufi
që ndanin,
e çanin
vëllazëri:
Hej!
Sot,
shkon
e valon,
parmenda!
T’i bëra të gjitha rrëmujë
dhe ty
gjurma t’u çduk
si në ujë.
Ta shemba armik kufinë
derë burgu–
dhe është tani
si ish!
si do të jetë–
përjetë:
Lëndinë!

Sime shoqe

Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.

Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?
Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.
Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.
Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim…harrim…pushim…pushim…
Në prehjen e vërtetë.


Si nesër

Do të pëshpëritë era ndaj mbrëmje si nj’herë,

prej valësh do ngrohet hëna si sot,
me iskra prej bryme do mbuloj’ mermere
dhe bota do jet
ë si ish dhe qëmot
Si nesër do shtrihet lëndina për mbi varr
Valë-dheu do zënë t’palosen ngadalë,
do ende parëvera e lule e bar,
dhe zile do rreshqasin që prej male.
Do qeshë dielli në qoshen e një reje,
do thajë lotët mbi lulet e qershisë, larg,
mbytur do ndjehet gjemimi i një rrufeje,
përmbi mal do hapet brez’i Perendisë.
Do shtrojë dhe dimri qilim të argjendtë
mbi pllocen e tretur, mbi kryqn’e anuar,
do rritet harrimi me dherin e r
ëndë
dhe unë do fle, ty duke t’ëndërruar…. (dhe të t’harruar)

Me di a nuk e di

Me di a nuk me di se qaj,
me di a nuk me di se vuaj
ne oret e thella te nates,
kur ngrihem i cmendur te shkruaj
me gjakun e zemres te shkruaj.
Me di a nuk me di se agimet
me gjejne pa gjume ne shtrat,
me shpirt te shkretuar nga dhembja,
e dhimbshem i pres perendimet,
me ankth i pres perendimet.
Me di a nuk me di se sot
u drodha kur pashe pranveren, (vjeshten)
qe zbriste me flladet e prillit (tetorit),
e embel sic ishte qemot,
e hidhur sic ishte qemot.
Me di a nuk me di se vuaj
ne oret e thella te nates,
ku ndjehem nga jeta i huaj,
nga vendi i lemjes i huaj.
Me di a nuk me di…

Jam shkëputur

Jam shkëputur e kam ikur shumë herë
Nga vendi im për në vende të largët,
Për një mot, për shumë vjet, përgjithënjë…
Dhe jam kthyer rishtas e rishtas
Në çerdhen time,
Nën qiellin tonë të lehtë,
Në ajrin e tejdukshëm.
Se malli i madh më digjte
Më hiqte në plëngun tim
Te varret e gjyshërgjyshërve.
Por kësaj here – më falni,
Do ik e s’do kthehem më:
Ku? ku?
Në vendin e heshtjes së përherèshmejetshme,
Ku s’ka dhimbje e ankthe,
Por gjumë harrese
dhe qetësi të katërciptë…
Fëmijë,
Mos bëni gjëmë,
Po ngazëllohi, se prehem
Pas netesh pa gjumë.
Tani pushuan të gjitha dhembjet
Dhe ankthet.
Jam mirë
Dhe qetë
I parafjetur
Përngaherë.
U nginja nga të lehtët e qiellit,
Nga ajri i tejdukshëm
Dhe dua
Peshën e rëndë të dheut.
Dhe mugëtirën e heshtjes.
Qofshi shëndoshë,
Të lumtur!

Durimi

Ma thonë emrin Asim Qerim
mbetur jetim
që në vogëli.
Jam si më sheh
e si më njeh:
kësulëbardhë e kryelidhë,
kryelidhë me një shami,
me tri shami:
për trimëri!
Jam eshtërmadh
i vrazhdët jam
e bojalli-
dhe sytë e mi:
janë plot shkëndi,
si batërdi.
Dhe kam uri
si s’ka njeri
për Drejtësi
e për Liri
si gjithë asimët
e gjithë qerimët
e Vendit tim.
Ma thonë emrin Asim Qerim,
mbetur jetim
që në vogëli.
Se babën tim ma vranë
naçallnikët,
podporuçnikët.
Ma vranë,
se urdhër dha Vojvoda
e Krali- vetë:
Të vritet.
Se ish Kosovar!
Dhe se ish zot
mbi këtë Dhe!
Dhe tokën që kisha nga Baba
nga gjyshi
rrënjë pas rrënje
prej qindra vjet,
prej mijëra vjet
ma muar.
Ah!
Ma muar Vatanin
që e desha
si xhanin!
Ma muar
me armë në duar
me gjak nëpër duar
Agrarët!
Xhandarët
Tuxharët!
Të gjithë tok
u bënë shok:
si sorrat!
për kërme.
Oborrin ma muar
deri në shtëpi
dhe ngrehe për vete shtëpi
në sytë e mi.
Dhe unë,
ja, unë!
që isha zot
që qëmot:
mbeta pa dhe,
bujk pa dhe
bari pa kope
këtu,
në dherin tim.
Dhe plori m’u ndryshk,
Hambari m’u myshk…
Po shpresa s’m’u vyshk!
Durova,
durova,
Sa nuk duron njeri,
as Perëndi!
Më thanë të shkruhem vojnik
e mynafik
i kombit tim.
Më dhanë armë të vras
vëllanë,
sipas kanunit
të gjakut…
Po s’desha!
Dhe në e bëra ma falni,
se jam gjaknxehtë.
Më thanë të ngrihem të ik
ku qielli puthet me dhenë;
Stamboll,
Anadoll,
e më tej.
Se vetëm andej
paska për ne
popull pa zot –
vend boll…
Po malli i tokës s’më la,
po malli i fushës s’më la,
as gjaku i babës s’më la.
Dhe mbeta këtu,
i huaj,
si qen,
në vendin tim,
të babës tim…
Mbeta rajá,
e ndër rajá,
si për hatá;
në uri,
në qesëndi,
në skllavëri
të shqaut të zi.
Më thanë të ik në Allbani,
vatan i ri
i kombit tim,
si shkoi Selmani,
Hasani
e Dani.
Po dot nga toka s’u ndava
dhe mbeta të jem
ku jam
e ku do të jem.
Më thanë të shkoj në sheher
të shqahut të madh,
me sharrën në krah,
me kryet përdhé,
jaban
e beter;
portë më portë,
derë më derë,
i mjerë
e zemër sterrë,
për një kotherrë
bukë.
Po malli i vendit s’më la.
Ah, malli i gjakut s’më la
e mbeta këtu,
rajá.
ndënë raja
të ha një bukë – zehër
lagur me lot,
njomur me vrer
dhe të pres, po të pres!
Një tjatër mëngjes.
E dit për dit,
E net për net, e vjet pas vjet
rrojta
e vojta
kaba
ndënë shkjah:
raja
ndënë raja,
si në hata
si tjatër s’ka!
Po prita
Dhe prita
Të vijë dhe për mua
Drita!
Tani
Tani,
Liri!

Ndërtimi

I bie arës mes-për-mes
e deri në brez
e përmbi brez
humbas
me gas
në grurin tim,
të Dheut tim,
të babës tim,
të birit tim:
sot e përjetë,
jetë pas jete!
Dhe ndje qysh flet
me zë të qetë
im-Atë vetë
nga balta poshtë:
Ta mbroni Dhenë
ku eshtrat kam
ku hi e tokë
e pluhur jam…
Ta mbroni Dhenë
që e yshqe
dhe sot si dje:
me kurmin tim…
Ta mbroni Dhenë,
me zjarr ta mbroni,
me gjak ta mbroni.
Të derdhni gjakun
me grushte plot
po kurrë lot,
as sot, as mot!…
Se loti është robëri,
Gjaku: Liri!
Jam eshtërmadh
e bojalli
e me japi,
si më sheh ti,
si më njeh ti.
Po kam një zemër
në gjoksin tim
që pa pushim
me rreh
si Drim.
Dhe Babën tim kur e kujtoj
Lotoj…
Të pashë të vrarë, or Baba,
e pa qefin si për hata,
rreth e përqark me xhanderma.
Desha të qaj e s’qava dot,
e të bërtas, s’bërtita dot,
pa asnjë lot, pa asnjë lot.
Dhe prita sot të derdh një lot.

Çast lamtumire

Pra, bir, mos qaj: ky është ligji e qënies
Të vijë rrotull dhe të kthehet rishtaz
Përbrenda gjirit t’amës s’amëshuar
Të mosqënies.
Ku janë ata që patën qënë? Shkuan
Atje ku qenë – lanë prapa tyre
Një tingull n’erë, shuar dalngadalë,
Si çdo qënie.
Nga shtati i tyre ngjizet rishmë jeta
Që duhet rrojtur: mbajtur, vojtur, falur
Kur çasti i madh troket në derën tonë
Urdhëronjës.
Koprace është jeta në të mira
Dhe dorëhapur gjëmash dhe mënxyrash –
Të gjitha duhen hequr dhe duruar
Zemërkthjellët.
Un’ rrethin tim e mbylla keq a mirë,
Si vdekëtar i thjeshtë – hallkë e lidhur
Dhe shkoj i velur hojesh dhe sherbelesh
Pa keqardhje.
Do rroj, shpresoj, ca kohë, brenda teje
Se kjo ka qënë ëndra ime: shpirtin
Tim trashëgim të ta le pas vdekjes
Siç e mora.
Vazhdo dhe ti të jetës shteg, të shkruar:
Të larta mos lakmo – se shtypës bëhesh
As poshtë shumë mos rrëshqit, se shtypesh,
Qofsh i lumtur!


Qëndrimi

Jam shqiptar
e kosovar:
Zot e krenar,
-Zot e bujar-
mbi këtë Dhe,
që e kam fe
e përmbi fe:
e kam Vatan!
E kam Atdhe!
Që gjysh stërgjysh,
që brez pas brez,
që gjithëmonë!
Ti shkja thërret
ti shkja bërtet,
deri lart në retë:
se jam barbar.
Jo, s’jam!
si bërtet ti,
si buçet ti,
ti, Mal i Zi.

Po Vendin tim e dua,
lirinë e dua,-
e s’dua
zot
mbi mua.
Se jam këtu kur s’kish njeri,
kur s’kish kufi
as fqinjëri,
as shkja të zi.
Se jam këtu kur Mal i Zi
ish Iliri:
kur nga një det në tjatrin det
isha zot vetë!
Unë jam këtu nga moti
kur vetë Zoti
e bëri fushën fushë
e malin mal.
Unë jam këtu e do të jem
-dem baba dem-
sa mali të bëhet hi
e hiri mal përsëri.

Tani! 
Tani! 
Unë jam gati 
të vdes që sot - 
se rroj përmot; 
mbytur me gjak 
po jo me lot, 
për këtë Dhe 
që e kam si fe 
e përmbi fe. 
E kam Vatan! 
E kam Atdhe! 
Hej! 
po buças me zë kaba 
sa të dëgjohet në qiell la 
sa të dëgjojë fund e kryej 
kush gjak shqiptari ka në dej. 
Shaban- vëlla! 
Destan- baba! 
Hej! 
Komb i lirë kosovar, 
ti komb shqiptar, 
ti Zot krenar 
ti djalëri- ti pleqëri 
bëju gati! 
Bëju gati 
për vrull të ri; 
ta djegësh botën 
ta bësh hi: 
për Liri' 
Për Shqipëri! 
Tani, 
tani! 
- O Mal i Zi 
ja unë 
ja ti! 
Po unë - jo ti, 
se jam këtu kur s'kish njeri 
dhe as kufi 
as fqinjëri... 
Unë jam këtu kur Mali i Zi 
Me Shumadi, 
Me Dallmati - 
Sa mban e gjitha Shqehëri 
Ish ILIRI! 
Kur nga një det në tjetrin det 
isha Zot vetë. 
Se jam këtu nga moti 
kur vetë zoti 
e bëri fushën- fushë 
e malin mal! 
Unë jam këtu 
e do të jem 
- dem baba dem - 
Sa mali të bëhet hi 
E hiri mal përsëri.

12/26/14

Baladë Çame

Ylberi, si një përshëndetje e përlotur lamtumirë,
u zhduk matanë largësive,
mbi kreshtat e flakëve,
nëpër shi…
Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
dhe të gjitha rrugët tona shpien në veri.
Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat troje tona stërgjyshore.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtet e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
mbuluar nga retë,
rënkon e mbytur në gjak e lot,
e mbetur shkretë,
pa zot.
Na e tregojnë drejtimin plumbat, që vërshëllejnë në errësirë.
Na e ndriçojnë rrugët flakët, që gjithë tokën kanë përpirë
Pas shpinave tona përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
dhe rrugët zgjaten e zgjaten si veri.
Ne, popull muhazhir, ecim nëpër shi…

Lamtumirë, Çamëri!

12/25/14

BESOJE PËRTEJVARRIN - Jeta është në rrënjë, nëntokë…

Preje…, digje…,
Tërë pyllin.
Kosite barin…, në zero,
Rrafsh me tokën…
Bëje, tym!
Nuk ke bërë gjë tjetër,
Vetëm, një shartim!
Rrënja-Jetë,
Po të dalë në dritë,
Sfidohet, si ëndrra,
Kur i çel sytë!
Edhe ne‘, gjallesat,
Që lëvizin në këtë botë,
Atje, e kemi shpirtin,
Tek Rrënja-Nëntokë!
Vdekja, s’është e tmerrshme,
(Tmerr është, të mos kesh jetuar !),
Ajo, është thjeshtë, një kapërcim!
Besoje-Rrënjën,
Përtejvarrin,
Që të vdesësh,
Trim!!

12/23/14

Dy Sokratët

Ç’punë bëj e ku kam lerë
Në kam nënë e strofkë e atë
Në çdo brengë duke mu gjendur 
Pate pyetur o, Sokrat


Më pat lindur skamëria 
Shes gazeta për studim
E për prind, oh, sytë e mia 
Ç’lagi kaq me mallëngjim


Qoftë e ëmbël si një çupë
Qoftë plot me vrer e gjak
Do ta pi të shkretën kupë
Siç e piu Sokrati plak


E në brengat venë e vijnë
Tërë dhembje tërë lot
Kush ma diti poezinë 
vojtjet nuk m’i diti dot.

Dimër


Shpirti im që sot y mbyll
Dhe gëzimin m'a përzuri,
Nëpër mal e nëpër pyll
Zu dëbora prej qëkuri.
Bjenë flokët një-nga-një
Mi katundin e shkretuar,
Dyke mardhur nënë të
Dheri fjet e ri mbuluar.
Flet nga-dal e shpirti im,
Dhe në zi pikoj si fleta,
Pa më qit as pipëlim
Tërë fili, tërë jeta.
Në kaq heshtje-e qetësi
Ndjej vajtimthin e një shpesi:
Psherëtin me zë të ti
Jet' e trembur se mos vdesi...

12/21/14

Dashuria supreme e Nënës...

Për Nënën askush,
s'ka shkruar sa unë,
po vargjet për Nënën,
kurrë s'quhen shumë!
 
Unë për Të kam shkruar,
mrekullira plot,
se Nëna është Nënë,
por është edhe Zot!
 
Zoti prej shumë shekujsh,
ja ka lënë stafetën,
ndaj Nëna është Zoti,
që lind dhe rrit jetën!
 
Është edhe Babai,
shkëmb i jetës son',
po Nëna kujdesin,
e kthen në Mision!
 
E kthen në Mision,
të gjithë rrugëtimin,
dhe Misioni është,
kulmi i përkushtimit!
 
Këtu nuk është vëndi,
të bëj "thashetheme",
po veç foshnjat marrin,
dashuri supreme!
 
Këtë dashuri,
ta jep vetëm Nëna,
mëkon më shumë dritë,
se dielli dhe hëna!
 
Mëkon dhe me qumësht,
dhe me dashuri,
po ka dritë e shpirtit,
më shumë rëndësi!
 
Nëna më ka falur,
pa fund dashuri,
si ajo s'më deshi,
një tjetër njeri!
 
Në jetë na rrethojnë,
njerëz shumë të shtrenjtë,
po ndjenja e nënës,
është vërtetë e shenjtë!
 
Kur Zoti mungon,
në Planetin tonë,
Nëna-vetëm Nëna,
Zotin zvëndëson!
 
Zotin zvëndëson,
me fuqi të plotë,
ndaj herët kam shkruar:
"Nënë edhe Zot!"
 
Kur kemi probleme,
i dalim në ëndrra,
pa qënë kurrë sëmurë,
për ne i dhëmb zëmra!
 
Ka raste-nga punët,
Nënës dot s'i gjendesh,
ndaj kur ajo ikën,
gati sa nuk çmendesh!
 
Them se ky maraz,
është maraz më kot,
në çdo çast të jetës,
askush s'ju gjend dot!
 
Kush thotë-"Kam qënë unë!",
thjesht na thotë një rreng,
s'ka në Botë një vdekje,
që mos ketë një peng!
 
Ka pjella që Nënat,
s'i duan vërtetë,
por ata kanë vdekur,
dhe pse janë në jetë!
 
Ajo pjellë ka vdekur,
dhe pse merr firomë,
kur të thahet shpirti,
mbetesh thjesht kufomë!
 
Unë Nënën time,
një ditë po ta ngjallja,
për një ditë me Nënën,
jetën do ta falja!
 
Ringjallje s'bëj dot,
ndesh me shkencën bie,
dhe Një që u ngjall,
iku dhe s'u kthye!
 
U ngjall e s'u kthye,
ende Zoti Krisht,
po ne do ta presim,
dhe pafundësisht!
 
Një mëndje me mua,
jini edhe ju,
gjer në kthim të Krishtit,
Nënat janë këtu!