Ky maj ka mall, mall sa s'thuhet.
Ndaj pa fshirë njërin lot, një tjetër i rrjedh.
Unë me dhëmbë e ha veten, se nuk di ç'më shkruhet.
E kohë pas kohe veten shuk e mbledh.
.
E marr e hedh, zgjatem sërish ta kap.
E zhubros me inat, e shaj fort.
Pastaj kujtimet vijnë me shiun, që më lag.
Kujtohem se unë e ti ndajmë ende të njejtën botë.
.
Ndajmë të njëjtat flutura që shkojnë qark e qark;
Të tuat që vallëzojnë duke u hedhur,
Të miat të varrosura në timin stomak,
Për fat kjo pranverë, i gjeti vdekur.
.
Ndajmë të njëjtin ajër, që ty të mbush me frymë,
Që nëpër mëngjese i lan sytë me vesë.
Paçka se në mushkëritë e mia bëhet tym,
E mua frymëmarrjet gati m'i vdes.
.
Une e ti ndajmë të njëjtin qiell në dukje blu,
Por ti s'e ke parë sa i hirtë që ngjan.
Në sytë e mi të zbrazët mbase është kështu,
Retë i futen në sy, ndaj mbi sup më qan.
.
Ne ndajmë edhe hënën del e nuk del.
Ti e mban të gjithën kur është e plotë.
E kur behet hark, njëjtë si një çengel,
Mbulohet me terr e imja copë.
.
Unë e ti ndajmë shkulmet e erës, mbase dhe këte shi.
Ndajmë në mënyrë të barabartë, ndajmë fjalën "NE".
Se nuk është e thënë te biem në të njejtën dashuri;
Pse rashë unë tek e jotja, ti s'ke pse.
|Yllka Demiri Lottus|
No comments:
Post a Comment