8/12/16

PENJ RESH


Do më sjellësh ndërmend, kur në duar të mbash retë,
Kur të ndjesh sa peshon shiu, që s'bie.
Do nxitosh si mua ato shtëllunga t'i bësh penj,
Që të qepësh veten pa u ndier.
.
Shikimin e përhumbur diku do e hedhësh,
Tek mundohesh mendimet t'i stërhollosh,
Pastaj pé të padukshëm sërish do tjerrësh,
Që të arnosh vendet bosh.
.
E do besosh se dhe mua më ka dhembur,
Ta shpoja veten me të heshtjes gjilpërë.
Që të ngushtoja ëndrrën që kisha endur,
Se më rrinte keq, tepër e gjerë.
.
Më ka dhembur e qeshura mbi të qarë,
Dhe kështu i thura melankolitë,
Sa për të arnuar botën mbarë,
Në kraharor kam mbledhur lëmsha të hirtë.
|Yllka Demiri Lottus|

No comments:

Post a Comment