11/24/14

Fuqia e dashurisë


(Këngë vajze)
Ti i mbyllur je-në tela,
tela e mure të rënda,
po as zëmra-po as shpirti,
jo-mor-jo nuk mbyllen brënda.
Kur një zog vjen në dritare,
plot me këngë e cicërime,
nuk ke pse habitesh fare,
s'është zog-po zëmra ime.
Kur zemra rreh si kambana,
kur "Të dua!" zëmra thotë,
kur përjashta të pret zana,
me pranga nuk lidhesh dot!
Cili ësht' sekreti i zëmrës,
që mesazhe jete çon?
Është veç fuqi e ëndrrës,
që si drita fluturon.
Ajo ëndërr-ajo shpresë,
që sytë t'i mbush me vesë,
veç ato-në të vërtetë,
të mbajnë gjallë në jetë.
Treten tela-shëmben mure,
shëmben muret dhe qelia,
kur të pret një vajzë nure,
kur të thërret dashuria.
Shpirt' i bardhë i vajzës sate,
erdhi në qeli-të gjeti,
ndaj ajo qeli e vogël,
u bë sa një shtëpi mbreti!
Sytë e tu të pikëlluar,
kanë dhe vend për dashuri,
ndaj gjithmonë të kam menduar,
njëlloj si unë-një njeri.
Qofsh i lirë-si një zog vere,
apo mbyllur me një hekur,
po nuk pate dashurinë,
frymë merr-po je i vdekur!
Veç fuqi e dashurisë,
i shëmb muret e qelisë,
përsëri e përsëri,
të kujton që je Njeri!

No comments:

Post a Comment