11/27/14

FLAMURIT TONË!

FLAMURIT TONË!

Nëpër shekuj s´u përkule,
O, Flamuri ynë kombëtar,
Ngjyra jote na ka frymëzuar,
Mbi armiq dhe mbi tradhtarë!

Tash, gjarpërinjtë po zvarrojnë,
Freskinë tënde ta infektojnë,
Me një flamur, „multietnik“
Padrejtësisht, të injorojnë!

Çohu Shqiponjë e hapi kthetrat,
Shumë gjarpërinj ke tek lisi,
Mos lejo t´i copëtojnë flatrat,
Errësisht, po të zvetënohet fisi!

Sulmo, rrufeshëm si kapedane,
Siç bëre shekujve prore!
Mos lejo të ta shkelin nderin,
Na jep vrulle për fitore!

Ah! Si ndryshohet simboli i gjakut,
Pse injorohet simboli i qëndresës,
Po a ndryshohet simboli i nderit,
Pse fyhet simboli i besës?!

Po t´i hiqet koka Shqiponjës,
Për t´ju mohuar pamja Flamurit,
Fëmijët e djepit do të zgjohen,
Do t´ merr flakë stralli prej gurit!

11/26/14

28 Nanduer 1913

Oj Zanë, t'këndojm... t'vajtojm, deshta me thanë; 

Pse sot ditë kangët s'asht për mue e tye. 
Po ç'gzim kjo ditë ne mundet me na dhanë, 
Kur, qe; mbas nji motmoti q'iu pëlqye 
Europës shqiptarin zot n'shpi t'vet me lanë 
E kujt pose Hyut, n'këtë jetë mos me i shërbye, 
Shqiptari i ndam' prap me vedvedi gjindet 
E shk'asht ma zi, prej vedit edhe s'bindet... 
............................................................................ 
Flamuri kombtar nuk ka ç'ka ban nder ne, 
Po kje se dashtni nuk kem' për Atdhe! 
E, drue dashtni për Atdhe nuk ka shqiptari; 
Me gjasë, s'çan krye shqiptari për komb t'vet, 
As për at gjuhë të ambël qi i la i Pari, 
As pse Shqipnia n'vedi u ba sot shtet; 
Pse e shoh se veç atje ku xhixhllon ari 
Pa frymë e tue dihatë vrap ai nget, 
Si Krishtin shiti Juda Iskarjot, 
Drue Adheu ndër ne po shitet për një zallotë... 
A thue mos fola keq?... Po lypi t'falun, 
Përse ktu vetë me fue nuk due kërkëndin, 
E pse asht mirë fjalën n'zemër t'fryt m'e ndalue, 
Por ai, qi të liruem me e pasë s'don vendin, 
A prej së tjerëve s'don me ia lshue rendin 
A thue ai s'asht Judë? Po, kambë e krye Iskariota!, 
E pra kso nipash ka edhe shum Kastriota... 
E po për ata qi detyrë e nder harrue, 
Qi marrë e turp kaherë flakërues mbas shpinet, 
M'visar t'Atdheut me t'huej shkojn tue tregue 
Kush ndyet mbas Frankut rrejtë, kush mbas stërlinet 
Kush pse dinari tepër i ash lakmue. 
E Atdheun' prej t'huejsh me e qitun duen bashtinët, 
Thue edhe për ta ndokuj do t'i vijë çuda, 
Kur them se nuk janë tjetër veçse Juda?... 
Po, Juda janë e gjinde janë tradhtarë. 
Mori 
M'kamë kryekungujt prej si u vunë, 
Duel padija n'krye të vendit; 
Njerzt e kënuen u poshtnune, 
Metën t'urtit jashtë kuvendit. 
Duel me faqe t'bardhë trathtari, 
Shpirt e fis qi ka kuletën; 
U ndëshkue pa dhimë Shqyptari, 
Qi për fis nep gjan e jetën. 
Shqynis zani atbotë i humi, 
T'huejt mi qafë i a vunë themrën, 
E e mloj skami, terri e gjumi, 
Djelmt e vet i a lnurën zemrën. 
E Shqyptarët jo veç s'e nisen 
Për kto punë përjashta Momin. 
Por ma fort, medje, e konisen. 
Msue gjithmonë me ndërue llomin... 
E njikshtu, qitash, njaj i cilli 
S'e la mrendë e detit vala, 
S'e la ferri, toka e qilli, 
N' Shqypni majet porsi njala.

11/24/14

Lavdia e vërtetë


Mund të rrëmbesh nga pushtet i lartë,
dhe kur mjaftueshëm s'ke talentin,
mund të marrësh dekoratën më të lartë,
nëse gjen një mik për presidentin!
Po me popull do ta kishe kot,
edhe kur mendon se je i zoti,
veç atij asgjë s'i rrëmben dot,
dhe ai s'të jep asgjë kot së koti!
Popullin dot nuk e manipulon,
si fjala vjen qeverinë,
ai s'të jep stema të bakërta,
të jep mirënjohjen edhe dashurinë.
Pushteti dhe medaljet vlejnë,
si lehtësi në këtë jetë,
po dashuria që në popull ndjejmë,
është në fakt lavdia e vërtetë!

Do të bëhem hija jote


Dua shumë-po dot s'të fal,
kokën pas s'e ktheve ti,
takohet mali me mal,
jo njeriu me njeri!
Do bësh lodra e shakara,
me miken që ke tani,
do të shfaqem unë përpara,
si dëbora përmbi sy!
Unë përpara do të shfaqem,
si në netë dashurie,
tok me mua humbe paqen,
s’dua-po do bëhem hije!
Rron tek ty një pjesë nga unë,
syri yt me timin zgjohet,
njerzit mund të falin shumë,
por asgjë s'mund të harrohet!


Nga Arben Duka


Fuqia e dashurisë


(Këngë vajze)
Ti i mbyllur je-në tela,
tela e mure të rënda,
po as zëmra-po as shpirti,
jo-mor-jo nuk mbyllen brënda.
Kur një zog vjen në dritare,
plot me këngë e cicërime,
nuk ke pse habitesh fare,
s'është zog-po zëmra ime.
Kur zemra rreh si kambana,
kur "Të dua!" zëmra thotë,
kur përjashta të pret zana,
me pranga nuk lidhesh dot!
Cili ësht' sekreti i zëmrës,
që mesazhe jete çon?
Është veç fuqi e ëndrrës,
që si drita fluturon.
Ajo ëndërr-ajo shpresë,
që sytë t'i mbush me vesë,
veç ato-në të vërtetë,
të mbajnë gjallë në jetë.
Treten tela-shëmben mure,
shëmben muret dhe qelia,
kur të pret një vajzë nure,
kur të thërret dashuria.
Shpirt' i bardhë i vajzës sate,
erdhi në qeli-të gjeti,
ndaj ajo qeli e vogël,
u bë sa një shtëpi mbreti!
Sytë e tu të pikëlluar,
kanë dhe vend për dashuri,
ndaj gjithmonë të kam menduar,
njëlloj si unë-një njeri.
Qofsh i lirë-si një zog vere,
apo mbyllur me një hekur,
po nuk pate dashurinë,
frymë merr-po je i vdekur!
Veç fuqi e dashurisë,
i shëmb muret e qelisë,
përsëri e përsëri,
të kujton që je Njeri!

11/21/14

Lamtumirë

Më del e zë pshon më të fshehtë;
Një breng’ hije-rëndë mi sy;
Përbrenda në zemrën e shkretë
M’i shtje drejt-për-drejt që të dy.


E loti prej syve të tua
Rrëngjethet valomë përdhe.
M’ja ndjen vështrim-bukur-pallua
Ti zemrës greminën e re...


Po këngët që sot më nuk janë,
Stolisen me mall në mërgim.
Përmbytur mjerimesh pa anë,
Ndrin Yll’i të rriturit tim.


Elegji për qenin




Më dhimsesh qen i vogël!S'pate fat,
Të ktheheshe në oborrin e shtëpisë...
U shtrive i përgjakur mbi asfalt,
Nga një makinë e egër e pashpirtë.


E ç'deshe ti që dole shpejt e shpejt,
Në mes të rrugës nga një dushk a ferrë?
Njeriu shtyp mikun rrugën kur ia pret,
Dhe jo pastaj një qen qyqar të mjerë!

Poema e mjerimit

Kafshatë që s'kapërdihet asht, or vlla, mjerimi, 
kafshatë që të mbetë në fyt edhe të zë trishtimi 

kur shef ftyra të zbeta edhe sy t’jeshilta 
që t'shikojnë si hije dhe shtrijnë duert e mpita 
edhe ashtu të shtrime mbrapa teje mbesin 
të tan jetën e vet derisa të vdesin. 

e mbi ta n'ajri, si në qesendi, 
therin qiellën kryqat e minaret e ngurta, 
profetënt dhe shejtënt në fushqeta të shumngjyrta 
shkëlqejnë. e mjerimi mirfilli ndien tradhti. 
mjerimi ka vulën e vet t'shëmtueme, 
asht e neveritshme, e keqe, e turpshme, 
balli që e ka, syt që e shprehin, 
buzët që më kot mundohen ta mshefin - 
janë fëmitë e padijes e flitë e përbuzjes, 
t'mbetunat e flliqta rreth e përqark tryezës 
mbi t'cilën hangri darkën një qen e pamshirshëm 
me bark shekulluer, gjithmon i pangishëm. 

mjerimi s'ka fat. por ka vetëm zhele, 
zhele fund e majë, flamujt e një shprese 
t'shkyem dhe të coptuem me t'dalun bese. 

mjerimi tërbohet n'dashuni epshore. 
nëpër skaje t'errta, bashkë me qej, mij, mica, 
mbi pecat e mykta, t'qelbta, t'ndyta, t'lagta 
lakuriqen mishnat, si zhangë; t'verdhë e pisa, 
kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore, 
kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta 
edhe shuhet uja, dhe fashitet etja 
n'epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja. 
dhe aty zajnë fillin t'marrët, shërbtorët dhe lypsat 
që nesër do linden me na i mbushë rrugat. 

mjerimi në dritzën e synit t'kërthinit 
dridhet posi flaka e mekun e qirit 
nën tavan t'tymuem dhe plot merimanga, 
ku hije njerzish dridhen ndër mure plot danga, 
ku foshnja e smume qan si shpirt' i keq 
tu' ndukë gjitë e shterruna t'zezës amë, 
e kjo prap shtazanë, mallkon zot e dreq, 
mallkon frytn e vet, mallkon barrn e randë. 
foshnj' e saj nuk qesh, por vetëm lëngon, 
e ama s'e don, por vetëm mallkon. 
vall sa i trishtueshëm asht djepi i skamit 
ku foshnjën përkundin lot edhe të fshamit! 

mjerimi rrit fëmin në hijen e shtëpive 
të nalta, ku nuk mrrin zani i lypsis, 
ku nuk mund t'u prishet qetsia zotnive 
kur bashkë me zoja flejnë në shtretënt e lumnis. 

mjerimi pjek fëmin para se të burrnohet, 
don ta msojë t'i iki grushtit q'i kërcnohet, 
atij grusht që n'gjumë e shtërngon për fytit 
kur fillojnë kllapitë e etheve prej unit 
dhe fetyrën e fëmis e mblon hij' e vdekjes, 
një stoli e kobshme në vend të buzqeshjes. 
nji fryt kur s'piqet dihet se ku shkon 
qashtu edhe fëmia n'bark t'dheut mbaron. 

mjerimi punon, punon dit e natë 
tu' i vlue djersa në gjoks edhe në ballë, 
tue u zhigatun deri n'gjujë, n'baltë 
e prap zorrët nga uja i bahen palë-palë. 
shpërblim qesharak! për qindenjë afsh 
në ditë - vetëm: lekë tre-katër dhe "marsh!". 

mjerimi kaiher' i ka faqet e lustrueme, 
buzët e pezmatueme, mollzat e ngjyrueme, 
trupin përmendore e një tregtis s'ndytë, 
që asht i gjikuem të bijë në shtrat vet i dytë, 
dhe për at shërbim ka për të marrë do franga 
ndër çarçafë, ndër fëtyra dhe në ndërgjegje danga. 

mjerimi gjithashtu len dhe n'trashigim 
-jo veç nëpër banka dhe në gja të patundshme, 
por eshtnat e shtrembta e n'gjoks ndoj dhimbë, 
mund që t'len kujtim ditën e dikurshme 
kur pullaz' i shpis u shemb edhe ra 
nga kalbsin' e kohës, nga pesha e qiellit, 
kur mbi gjithçka u ndi një i tmerrshmi za 
plot mallkim dhe lutje si nga fund i ferrit, 
ish zan' i njeriut që vdiste nën tra. 
kështu nën kambët'randë t'zotit t'egërsuem - 
thotë prifti - vdes ai që çon jetë të dhunuem. 

dhe me këto kujtime, ksi lloj fatkeqësinash 
mbushet got' e helmit në trashigim brezninash. 
mjerimi ka motër ngushulluese gotën. 
në pijetore të qelbta, pranë tryezës plot zdrale 
të neveritshme, shpirti me etje derdh gotën 
n'fyt për me harrue nandhetenand' halle. 
e gota e turbull, gota satanike 
tu' e ledhatue e pickon si gjarpni- 
dhe kur bie njeriu, si gruni nga drapni, 
nën tryezë qan-qeshet në formë tragjikomike. 
tê gjitha hallet skami n'gotë i mbyt 
kur njiqind i derdh një nga një në fyt. 
mjerimi ndez dëshirat si hyjet errsina 
dhe bajnë tym si hejt q'i ban shkrum shkreptima. 

mjerimi s'ka gëzim, por ka vetëm dhimba, 
dhimba paduruese qe t'bajnë t'çmendesh, 
që t'apin litarin të shkojsh fill' e t'varesh 
ose bahe fli e mjerë e paragrafesh. 

mjerimi s'don mshirë. por don vetëm të drejt! 
mshirë? bijë bastardhe e etënve dinakë, 
t'cilt n'mnyrë pompoze posi farisejt 
i bijnë lodërtinës me ndjejt dhelparak 
tu' ia lëshue lypsiti një grosh të holl' n'shplakë. 

mjerimi asht një njollë e pashlyeme 
n'ballë të njerzimit që kalon nëpër shekuj. 
dhe kët njollë kurr nuk asht e mundshme 
ta shlyejnë paçavrat që zunë myk ndër tempuj.

11/20/14

Fryn moj erë

-Ngaj po na vjen, moj erë e rreptë? 
Pse vërshëllen me aq mallëngjim? 
-Vij drejt nga malet e Shqipërisë, 
për të përhapur zi e vajtim. 
Fryn, moj erë, moj erë e shkretë fryn, 
drejt më zëmër, më zëmër time hyn. 


-Nga ata male, moj erë trime, 
ç'lajme të reja po na ke siell? 
Pse je e vrerët dhe e helmuar? 
qiellë me zi përse na e mbiell? 
Fryn, moj erë, etj. 


Pse e ke synë të trubulluar 
e rent kaluar mi t'zeza re? 
Pse të pikojnë lottë të zeza, 
lottë të zeza posi rrëke? 
Fryn, moj erë, etj. 

Syri m'u err nga ato që pashë 
Ah! nukë mbahem, nuk duroj dot. 
Pashë një gjëmë, gjëm të tmeruar, 
rent ta haroj, po rentkam më kot. 
Fryn, moj erë, etj. 


Atje tek losnja në fush' të Korçës, 
duke u hedhur lis më lis, 
një qivur pashë me nj'çup' të virgjër, 
ma vrau shpirtin ay filis. 
Fryn, moj erë, etj. 


Tokat pushonin, prift nuk dukej, 
e pakënduar na u varros; 
mihnë dëborën, i bënë varrë, 
shpirt nuk më mbeti, forca m'u sos. 
Fryn, moj erë, etj. 


Atje mi varrë qante një grua, 
një grua qyqe me mallëngjim; 
burrën të qante më par'a çupën, 
për kë të bënte më par'vajtim? 
Fryn, moj erë, etj. 


Renda e ika e fluturova, 
po dhëmbjen time ku do ta fsheh? 
Çava oqeane, dete dhe male, 
po vajtoj edhe sikundër sheh. 
Fryn, moj erë, etj. 


-Moj er'e rreptë, erë malsore, 
shpirti m'u ndes, zëmra më shkriu; 
sytë m'u errë si ty dhe mua, 
mëndja në kokë më bubullin. 
Fryn, moj erë, etj. 


Qëndro të lutem, të kam për t'dhënë 
dhe un'i varfri një porosi: 
një re të madhe dërgo të zbresë 
e ta ngarkojmë me lott'e mi. 
Fryn, moj erë, etj. 


E kur të kthehesh nga Shqipëria, 
Atje në kopshtin, atje t'qëndrosh, 
dhe lott'e mia si vesë qjelli 
dalë nga dalë do t'i pikosh. 
Qaj, moj erë, moj er'e shkretë qaj, 
derthmi lottë atje mi varr'e saj.

11/19/14

Kur të jesh mërzitur shumë




Këtu s’do jem, do jem larguar
në tokë i tretur si të tjerët
në kafenenë e preferuar
nuk do më shohin kamarierët.
Dhe nëpër udhë ku kam ecur
s’do ndihet kolla ime e thatë
mbi varin tim do rij i heshtur
një qeparis si murg i ngratë.
Ti do trishtohesh atëherë
se s’do më keshë në dhomë gjallë
dhe kur mbi xham të fryjë erë
do qash me erën dal-ngadalë.
Po kur të jesh mërzitur shumë
në raft të librave kërkomë
atje do jem i fshehur unë
në ndonjë fjalë a ndonjë shkronjë.
Mjafton që librin pak ta heqësh
e unë do zbres do vij pas teje
dhe ti si dikur me mall do qeshësh
si një blerim pas një rrëkeje.


11/17/14

Bij të Sulit

Bij të Sulit, qysh e duroni, 
Në beteja sot marshoni! 
Nuk ju mposhtin gërxhet dot! 
Burra! Burra! O suliotë! 
Mundin tuaj ta kërkoni, 
Atje ku ju fton zakoni! 
Mbi flamur të shenjtëruar, 
Po shkel hasmi i mallkuar, 
Mbi flamurin malësor, 
Përmbi nderin prindëror. 
Ngrehuni në luftë sot! 
Burra! Burra! O suliotë! 
Plugje kemi pallat tona, 
Korrje janë fitoret tona! 
Në kështjellën që do shembet, 
Mundi, djersa juaj gjendet! 
Atje kemi ne lavdinë! 
Zjarr për zjarr pra me stuhinë.

HAKËRRIM



Ali Asllani

Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë, 
nëpër fusha, nëpër kodra, vërshëllen një egërsirë! 
Pra, o burra, hani, pini, hani, pini or' e ças, 
Për çakallin, nat' e errët, është ras' e deli ras'! 
Hani, pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepe, mbushni arka, 
të pabrek' ju gjeti dreka, milionier' ju gjeti darka! 
Hani, pini e rrëmbeni, mbushni arka, mbushni xhepe, 
gjersa populli bujar t'ju përgjigjet: peqe, lepe! 
Ai rron për zotrinë tuaj, pun' e tija, djers' e ballit, 
ësht' kafshit për gojën tuaj. Rroftë goja e çakallit! 
Shyqyr zotit, s'ka më mirë, lumturi dhe bukuri, 
dhe kur vjen e ju qan hallin, varni buz' edhe turi! 
Hani, pini dhe rrëmbeni, është koha e çakenjvet; 
hani, pini e rrëmbeni, ësht' bot e maskarenjve; 
Hani, pini, vidhni, mblidhni gjith' aksione, monopole, 
ekselenca dhe shkëlqesa, tuti quanti come vuole! 
Nënshkrim i zotris suaj nëpër banka vlen milion, 
ju shkëlqen në kraharuar dekorata "Grand Cordon"! 
Dhe kërkoni me ballhapur (!) komb i varfër t'ju thërres' 
gjith me emrin tingëllonjës: Ekselenca e Shkëlqes' 
dhe të quheni përhera luftëtar' e patriot', 
në ka zot dhe do duroj', posht ky zot, ky palo zot! 
Grand Kordon i zotris'sate, që në gji të kan' vendosur, 
ësht' pështyma e gjakosur e atdheut të veremosur; 
dhe kolltuku ku ke hipur, duke hequr nderin zvarr', 
ësht' trikëmbshi që përdita varet kombi në litar! 
Dhe zotrote kullurdise, diç, u bëre e pandeh, 
kundër burrit të vërtetë zë e vjell e zë e leh! 
E na tunde, na lëkunde, nëpër salla shkon e shkunde, 
mbasi dora e armikut ty me shok' të heq për hunde. 
Rroftë miku yt i huaj, që për dita los e qesh, 
të gradoi katër shkallë, pse i the dy fjal' në vesh! 
Koha dridhet e përdridhet, do vij' dita që do zgjidhet 
dhe nga trasta pem' e kalbur doemos jasht' do hidhet! 
Koha dridhet e përdridhet, prej gradimit katër shkallë 
nuk do mbetet gjë në dorë veç se vul' e zezë në ballë! 
Mirpo ju që s'keni pasur as nevoj' as gjë të keqe, 
më përpara nga të gjithë, ju i thatë armikut: "Peqe!" 
Që të zinit një kolltuk, aq u ulët u përkulët, 
sa në pragun e armikut vajtët si kopil u ngulët! 
As ju hahet, as ju pihet, vetëm titulli ju kihet… 
Teksa fshat' i varfër digjet… kryekurva nis e krihet! 
Sidomos ju dredharakë, ju me zemra aq të nxira, 
ju dinakë, ju shushunja, ju gjahtar' në errësira! 
Ç'na pa syri, ç'na pa syri!… Hunda juaj ku nuk hyri: 
te i miri, te i ligu, te spiuni më i ndyri! 



Dallavera nëpër zyra, dallavera në pazar, 
dallavera me të huaj, dallavera me shqiptar' 
Vetëm, vetëm dallavera, dhe në dëm të këtij vendi 
që ju rriti, që ju ngriti, që ju ngopi, që ju dendi! 

Nëse kombi vete mbarë, nesër ju veproni ndryshe, 
dylli bëhet si të duash, kukuvajk' dhe dallëndyshe… 
kukuvajka gjith, me lajka, nesër silleni bujar, 
nënë dorë e nënë maska, shkoni jepni një kapar! 

Dhe kujtoni tash e tutje me të tilla dallavera 
kukuvajka do përtypi zog e zoga si përhera… 
Ja, ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarve, 
koha është e maskarenjve, po Atdheu i shqipëtarve! 

Edhe ju të robëruar, rob në dor' të metelikut, 
fshini sofrat e kujtdoj', puthni këmbën e armikut! 
Që ta kesh armikun mik e pandehni mençuri, 
mjafton bërja pasanik, pasanik dhe "bej" i ri, 
dhe u bëtë pasanik, me pallate, me vetura, 
kurse burrat më fisnikë, japin shpirtin në tortura! 

Vendi qenka sofr' e qorrit, vlen për goj' e për lëfytë, 
bëni sikur veni vetull', shoku-shokut kreni sytë… 
Dhe për një kërkoni pesë, po më mir' njëzet e pesë. 
Le të rrojë batakçiu dhe i miri le të vdesë! 

Po një dit' që nis e vrëret do mbaroj' me bubullimë, 
ky i sotmi zër' i errët, bëhet vetëtimë 
dhe i bije rrufeja pasuris' dhe, kësi lloj, 
nuk ju mbetet gjë në dorë, vetëm një kafshit' për goj'! 

A e dini që fitimi brenda katër vjet mizor' 
nuk ësht' yti, nuk ësht' imi, është i kombit arbror, 
ësht' i syrit në lot mëkuar, ësht' i vendit djegur, pjekur, 
Ju do thoni si të doni… po e drejta dërmon hekur
!

11/16/14

SA LARG KAME KASOLLEN E DRURIT (poezi)

Rudi Berisha                                                              

–––––––––––––––––––––––––––


Ujë në gotë më ngrihet nga dhembja
Flamurin e ngjisë në kullën e dashurisë
Opingat kam të zbathura në kohën e malit
Sot në vetura të zeza si nata lëvizë nëpër udhë
Bari në fushat e gjelbra isha në atë botë
Kam puth rrugën e qytetit të pushtuar nga lakmia
Letrat që më sjellin i lexoja në shtrat në apartament
Në mërgim i mërguar nga fshati që kullosja bagëtinë
Sa larg kam kasollen e drurit të lyer më dhe të lagur
Atëherë ishin ditën më të lumtura të jetës time miq
Por edhe tani nuk jam shumë keq deri diku jam mirë
Pesë shtëpi më pishinë të ndërtuara në tokën e lirë

Sa më janë bërë të bezdisshme këto ngjyra të zeza
Nuk më shkon shumë bukur sonte neja as veshja
Nesër kam një takim në ambasadë më një të huaj
Duhet të jem qytetar mos të dukem i paedukuar
Telefoni i mija- eurove si në këtë kohë zile bënë
Alo kush je ti më trego po të them së jam në ballkon
Ah nënë ti je të lutem mos më bezdis në këtë kohë
Jam në një proces të lutem kurrë më mos më pengo
Njeriu nga fshati braktis nënën plakë
Babai i kishte vdekur kur ishte ky në Pragë
Në emër të atdheut vriste çdo dashuri në botë
E ka harrua se dy metra vend i ka në këtë tokë
Toka nuk përmbysët nëse humbë dashuria
Dheu nuk shembet kur e shkel mendjemadhësia
Këmba e injorantit është këpucë e prapështisë
Ju lutem kthehuni në tokë jeni të bit e Ilirisë
Si shpat ndani dyert më vrullin për të shkuar
Edhe nëse nuk je i pari nuk duhet më u hidhëruar
Dhuroju rrugë të tjerëve të ecin nënë çati pa shi
Nuk bie qielli në tokë jeta do vazhdon edhe pa ty
Shikoni fusha male si janë të gjelbëruara nga shiu
Mos u turpëroni nga loja juaj e vjetër në lëndina
Kthejuni shtrati të vjetër dhe në këtë kohë moderne
Opingat sillni në muze të kujtoni prejardhjen

Tek varri i babait të shkosh koha ka kaluar
Nënën e ke gjallë mundesh akoma më përqafuar
Nga qielli një dritë kërko për hënën e zbukuruar
Ujë në dorë sot dua nga mirësia e pushtuar

11/14/14

MALLI RINUER

                                                                               
MIGJENI
Valët muzikore fluturojnë nga përndimi 
shkrepen e përtrihen 
për muret e dhomës seme,
edhe mandej dridhen

mbrenda në zemrën teme
dhe zgjqjnë ndijesina që mblue ka hini.
Ndijesitë e mia me valët muzikore
shkëmbejnë puthje të nxehta
posi dy dashnorë
e pa mshirë shëgjeta
më ther në krahnor
edhe më merr malli përjetë ma gazmore.
Malli rinuer përjetë ma shkumbuese
flen pa fat në mue,
një tingull pëmdimi
asht ngushllim për mue
kur më mshtjell mashtrimi
me melankolinë e vet aq trishtuese.
Tingujt miqëdashës, që në dhomën teme
më falin rytmin
e një dansit të largët,
më kujtojnë përqafimin
e çiftave të shkathët
që sjellen hirshëm nëpër drrasa të gëdhenme.