10/29/14

BISEDË ME TIM VËLLA - AFRIM ZHITIA, PËRBALL MEJE


Sadete Zhitia
29 Tetor 2014

Afrim Zhitia rri përballë meje. Rri atje, me po atë pamje që kishte dikur, me po atë shikim të trishtuar, me po ato syze dhe me po atë “fajësinë” e tij të përjetshme, si të dojë të kërkojë ndjesë që nuk mund të flasë dot. Afrohem drejt tij, prek lehtësisht, ftohtësinë e lapidarit, germat e emrit të tij, prek foton tek cepi i buzës, dhe duket se për një çast buzët e tij nisin të flasin, sikur duan të thonë: Mos më mungo motër, se veç ti më bën të flas! Unë shkoj atje, se dua ta dëgjoj, dua të kem një fjalë më shumë prej tij jo si hero, absolutisht jo si hero, po thjesht dua të dëgjoj një fjalë nga im vëlla. Më ndjeni nëse them kështu, më ndjeni, se ai nuk është vetëm imi, është edhe juaji, por ka një çerek shekulli që po më digjet shpirti, ka një çerek shekulli që po plas, ndërsa them se ai vërtet nuk është vetëm imi. Ka një çerek shekulli nga mesdita e 2 Nëntorit e vitit 1989, ku vrapova, vrapova e ndërgjegjshme se ai pas pak do të vdiste, i rrethuar nga 500 policë serbë, dhe doja t’i thosha se në ato çaste mund të më kërkonte gjithçka, por vetëm nuk duhet të më thoshte: Motër mos qaj! Doja vetëm t’i thosha se një motër, është motër për vëllain edhe për faktin se ajo qanë pafundësisht, jo me muaj, jo me vite, por e qara e saj mbaron vetëm kur ajo shkon pranë tij, në varr. 

Po nuk ia thash dot atë mesditë, nuk ia thash as vite më pas, kur ata që e vranë, vazhdonin ende ta vrisnin Kosovën. Vëlla, vëlla, thonë se trimat nuk qahen, kjo është e vërtetë, po natyrisht që këtë gjë nuk e ka thënë e para, ndonjë motër. Thonë se trimat këndohen, kjo është e vërtetë, po natyrisht ajo që e ka nisur e para këngën, nuk ka qenë motër. Thonë se amaneti i të rënit duhet mbajtur, edhe kjo është e vërtetë, po motrat falen dhe kur nuk e mbanë fjalën. Ndoshta tani që ka kaluar 25 vite nga rënia e heroit të Kosovës Afrim Zhitia, ka ardhur çasti t’i them atij ballëpërball, nëse e kam plotësuar, apo jo merakun e tij që të mos qaj, po fillimisht dua të flas me të, dua ta flas për të tjera gjëra.

Kaluan 25 vite! Afrim mos më qorto! Unë nuk e mbajta fjalën! Unë vazhdoj të qaj për ty!

Nuk është se jam duke thënë ndonjë gjë të madhe, kur them se më ndodh shpesh që dua të flas me të, ose më saktë unë flas përjetësisht me të, ndërsa ai shpesh rri i heshtur. Rri i heshtur, ndoshta i trishtuar nga ftohtësia e grisë së lapidarit, ndoshta i lodhur nga fjalimet pa fund të atyre që mblidhen përreth tij herë pas here, ndoshta ka dhe gjëra që druhet t’i thotë me zë të lartë, ndoshta e vret fakti se nuk mundet t’i thotë, apo dhe ndoshta ai e ndjen se shumë gjëra i ka thënë, dhe tani ka ardhur koha të prehet. 

Pavarësisht nga të gjitha këto, unë e di se Afrim Zhitia ndihet i qetë në heshtjen e tij, a mbase dhe duhet të thosha, ndihet i lumtur në heshtjen e tij, po kjo do të ishte pak si tepër. Nuk shkon të them se ndihet i lumtur. Është e pamundur të them kështu, jo vetëm sepse iku kur ende ishte djalosh, jo vetëm se iku në një ditë gri Nëntori, por grija e syve të tij, duket edhe më e palexueshme mes syve të atyre që mblidhen rreth tij. E atyre që gëzojnë, që qajnë, që mburren, që ndihen krenar, që ndihen fitimtar, që heshtin, që thonë fjalë pa fund, që betohen, a që grinden për pak pushtet. 

Dhe kjo ndodhë sepse sytë e një heroi, shikojnë tej karrigeve për pushtet, madje kjo është gjëja e fundit që mund t’u vijë në mendje. Sytë e një heroi, shikojnë tej sherreve të brendshme, madje ata kurrë nuk besojnë se mund të ketë dhe sherre mes vetes, sepse për të ka vetëm një sherr, atë për të cilin dha jetën. Është kjo arsyeja që shpesh, krejt si pa dashje, ndërsa e shikoj përball Kosovës, malli i pashuar ndaj tij, më kthehet në një drithërimë, më kthehet në një merak. 

- Unë them se edhe kur qielli mbi Kosovë kishte imazh Serbie, ai shikonte diell Shqipërie,

- unë them se edhe kur sytë e fëmijëve të Kosovës lotonin, ai shikonte dritë atje, edhe kur nëna e tij, si të gjitha nënat e Kosovës trishtoheshin, ai shikonte atje, dritën e lirisë. 

- Unë them se ai ka të drejtë të thotë se ja ku jua dhurova Kosovën e lirë, dhe ju tani, duhet ta çoni edhe më tej shtigjeve të lirisë. 

- Unë them se ai e dëgjon edhe tani atje në mermer zërin e Kosovës së tij. 

- Unë them...dhe të gjitha këto më bëjnë të lumtur, më bëjnë të besoj tek qetësia e tij e mermertë. 

Ndoshta kështu mendojnë të gjithë. Kështu mendojnë edhe ata që në datën 2 Nëntor, do shkojnë atje të hekurosur, me lule dhe kurora, edhe ata që do mbajnë fjalime për të, duke zgjedhur fjalët, edhe ata që do t’i thonë se Kosova sot është si e ke ëndërruar ti Afrim, ndërsa do ndihen krenarë se ata janë duke e kryer më tej këtë gjë. Të gjithë pra, ndoshta do të ndihen të lehtësuar, duke ikur prej tij, të bindur se e shlyen detyrimin ndaj tij. Askush të mos dyshojë se ata nuk kanë të drejtë. Ata kanë të drejtë, im vëlla! Po ti më thua, afrohu motër që të flas me ty, vetëm me ty, larg të gjithëve, edhe për të tjera gjëra, për të cilat unë kurrë nuk do të flisja dhe nuk do të doja t’i dëgjonte askush, sepse askujt nuk dua t’i prish festën e lirisë. 

Dhe pastaj ti im vëlla, duket se do të më thuash se kur shikon, ish luftëtarë si ti, ish të ardhur nga regjimi që iku, si vetja e tyre, ish veteranë të luftës për liri, si askush, anonimë të lloj-lloj ngjyrave që nuk ua ka dëgjuar zërin njeri, të etur për pushtet, njerëz që rrahin gjoksin për Kosovën, e pra për të gjithë këta, ndihesh i trishtuar që edhe tani mbi 4 muaj nga zgjedhjet e fundit, askush nuk di të thotë se kush do ta drejtojë Kosovën. 

Dhe më pas pastaj, ti fisnik siç je, nuk do që të përmendësh asnjë emër, jo thjesht se shumë prej tyre janë miqtë e tu, por ti e di se fjala e të vdekurit vret më shumë se plumbi. Duket se do të më thuash, a e pat se vetëm një imazh Shqipërie fluturoi mbi qiellin serb dhe serbët, u ndjen si të ishin para meje me armët, gati për të më pushkatuar? Dhe pastaj, duket se ti do të tregosh gjoksin tënd të bërë shoshë nga plagët. Mos vëlla! 

Nuk dua t’i shikoj ato plagë!

Duket sikur do të më thuash, duke hedhur sytë drejt Veriut, a nuk e kuptoni se Kosova, e tëra është si trupi i një gruaje të bukur, ku nuk mund të mendohet se ajo do ndihet mirë, nëse edhe një pore e saj do të ndjejë dhimbje, ku nuk mund të mendohet se ajo do ndihet e bukur, nëse ende i shëmtohet pjesë të trupit të saj? 

Dhe më pas, lexoj buzët e tua që mërmërisin: Mitrovica ime! Duket sikur do të më thuash se ende Kosova çapitet me hapin e saj të lodhur, sepse ti në imazhin tënd e mendon atë vetëm duke fluturuar drejt lirisë. 

Dhe më pas, duket sikur do ta braktisësh mermerin e bardhë për t’i dhënë një dorë Kosovës që të ngrihet më lart drejt qiellit. Duket sikur do të thuash dhe një fjalë për nënën tënde, nëse ajo e ka ende në mendje nusen që do gjente për ty dhe nipat e mbesat që ti do t’i dhuroj asaj. Natyrisht që i ka i miri im, dhe do t’i ketë deri sa të ngjitet tek ty. 

Dhe më në fund, duket sikur do të flasësh vetëm për mua, dhe gjithë shqetësim, më pyet nëse unë e kam zbatuar amanetin tënd që të mos qaj për ty. Shikomë në sy im vëlla, dhe mos më qorto! Unë nuk e kam mbajtur këtë amanet! Unë vazhdoj të qaj për ty!

No comments:

Post a Comment