4/26/16

KUSH KA PAVARËSI ?!

Eh, moj Kosovë, sa shumë shkruajta për ty!
Se t'kam ndjerë në zemër, edhe pse s'jetoj aty.
Për çdo padrejtësi, të dedikova një poezi,
E për çdo poezi, me lotë u mbushën këta sy.
Gjithmonë kam pasur një ëndërr, të fshehur në "Sirtar";
Ta shoh hartën etnike, veç një flamur shqiptarë.
Por sirtari u dogj, e ëndrra u bë shkrumb e hi,
Pikërisht atë ditë, kur Kosova shpalli pavarësi.
Tani u bënë 7 vjet që valvitet një flamur me yje,
I mbushur me ngjyrë t'kaltër pa asnjë lloj arsye.
A thu' ngjyrën e gjakut e kishte t'kaltër, Adem Jashari?!
A thu', Ibrahim Rugova a e ka shtrëngu shallin te varri?
A thu', Avni Rustemi, sikur të ishte gjallë,
Cilit tradhëtarë, plumbat ia kish' numëruar në ballë?!
Garant që, Isa Mustafën, t'parin e kish' pushkatuar,
E shumë "Esat Pasha" të tjerë që me ryshfete janë mashtruar.
Po si mund të ketë pavarësi, kur krejt Kosovën po e l'shojnë,
Ku, për një azil t'mallkuar, vendlindjen e harrojnë.
Si mund të ketë pavarësi n'Shkurt, kur ajo festohet në Nëntor?!
Në atë muaj, kur s'braktisej vendi, por mbrohej me dhëmb e me dorë.
S'po shkruaj më shumë, se ndoshta e teproj,
Kush e ndjen me zemër edhe nesër të festojë.
Veç shpirti s'gjen qetësi pa u lënë një porosi;
Mos e harroni 28 Nëntorin, as flamurin Kuq e Zi!
©- Izmir Todaj, Lushnje: 16 Shkurt 2015.