Kruj', o qytet i bekuar!
Prite, prite Skënderbenë,
Po vjen si pëllump i shkruar,
Të shpëtonjë mëmëdhenë
Shqipëtarët t'i shpëtonjë
Nga xgjedh' e keq'e Tyrqisë,
Edhe ty të të nderonjë,
Që je krej'i Shqipërisë,
Ka pas trima shqipëtarë,
Që s'u trembet syri kurrë,
Ndë zëmërt të tij ka zjarrë,
Ësht' i urt' e trim e burrë.
Mirë se erdhe, o verë!
Që na prure mirësinë,
Dhe për shumë vjet të tjerë
E zbukurofsh Shqipërinë.
O Shqipërizë! gëzohu,
Se të erdhi prapë dita,
Lulëzohu, zbukurohu,
Të zbriti nga Zoti drita!
Edhe juve, o të vdekur,
Merri ngaha ky gas pjesë,
Që shkuatë buzëpjekur,
Nd'atë jetë, paçi ndjesë!
O moj vash' e Shqipërisë,
Që më rri duke mejtuar,
Pa i xhvish rrobat' e zisë,
Arriti dit' e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali
Nga armët' e trimërisë,
Hingëllint'e s'mbahej kali,
Që sill mbren' e Shqipërisë
Trimatë bashkë me mbretnë,
Me nxit posi vetëtimë,
U futn' e zunë qytetnë
Me të madhe kërcëllimë.
Turqit, q'e kishin qytetnë,
Papandehurë e panë
Që u dha si drita, mbretnë,
Pa s'hapnë goj' e gjë s'thanë
Se fjala po q'u dëgjua,
Që vinte i bir'i mbretit,
Shqipërija u lëshua
Edhe ju derdhë qytetit;
Burrat trima më s'mënuan,
Gjith' u mblodhë posi reza,
Kryeqytetn' e rrethuan,
Armikn' e preu e zeza.
Zjente bota, tundej dheu,
U ngrit gjithë Shqipërija,
Duke thën': "Erth Skënderbeu,
Erdhi vetë Perëndija."
Mysliman' e të krishterë
U derdhë për mëmëdhenë,
E kishin të bashkë nderë
Si vëllezërë që qenë
Pa Zoti nuk' i la shkretë,
U bë mbret' i Shqipërisë
Trim'i mir' e i vërtetë,
U mbarua koh' e zisë.
Pleqtë, q'e kishinë parë
Në kohët të foshnjërisë,
Van' e puthnë duke qarë
Dritëzën' e Perëndisë.
Gjithë ç'qenë shqipëtarë
Me rradhë mbretit i vanë,
Si vëllezrë më të parë,
E me gas të math e panë.
Skënderbegu, bukuroshi,
Burri trim pa shok në jetë,
Miqtë gjith' i përshëndoshi,
Posi vëllath i vërtetë.
U sul gjithë njerëzija,
Të shihninë Skënderbenë
Pleq, të rinj dhe foshnjërija
Gjith' e donin shumë mbrenë.
Pa Skënderbegu dërgojti,
Të parin e turqet pruri,
S'e shau dhe s'e qërtojti,
Po afër soje e vuri;
I tha: "Sulltani harrojti
Fjalënë dhe miqësinë!
Me ç'sy e faqe dërgojti,
Edh'e shkeli Shqipërinë?
E dinë bota e tërë,
Edhe vet' e di Murati
Fjalënë që kishte bërë
E besën q'i dha tim ati!
E dini si kam lëftuar
Për sulltan e për Turqinë,
Dhe ajy qysh më ka shuar
Vëllezërit' e shtëpinë!
S'janë punëra të lehta
Këto që janë punuar,
Dhe nukë rrinë të pshehta
As janë për të harruar,
Njeriut që të bën mirë
T'i bësh kaqë të këqija,
Nuk i bën as nj'egërsirë
Këto që bën mbretërija,
Të isha turk edhe unë,
Ta kisha zëmrënë kllirë,
Sot u bënja tjatrë punë,
Nuk' u flisja me të mirë.
E drejta vetë rrëfehet,
E të miratë po njihen,
Çdo gjënë jetë çpërblehet,
E gjësendi nukë lihet.
Mbret ndër ju 'shtë djallëzija,
Nuk' është kurr' e vërteta,
Dhe ligj' është ligësija,
Edh'e rremeja e shkreta!
Nesrë të ngrihesh pa gdhirë,
Merr shokëtë edhe shkoni,
E pa bërë ditë mirë,
Qafënë ta kapëtoni;
T'u ap njerës, t'u përsjellin,
E njeri të mos u ngasë,
Në mes të tyre t'u pshjellin,
Kurrëkush të mos u flasë."
Këto fjalëz' i tha mbreti,
Turku ndënj e u mejtua
Një copë herë së qeti,
U vrenjt e u sgurdullua.
Po domosdo e dëgjojti,
Dolli me mejtim nga dera,
Menatë u ngrit e shkojti,
Më s'e zuri drekëhera.
Kështu e bëri Osmani,
Q'ish në Shqipëri i parë,
I dërguar nga sulltani,
Po s'i vate puna mbarë.
Në fortesat gjithë ç'qenë
Nga ushtëri' e Turqisë,
E dëgjuan Skënderbenë,
Q'erth në front të Shqipërisë,
Dhe u ra gjithëve pika,
Ikn' e lanë Shqipërinë,
Më s'shikuan pas nga frika,
Po muarrë arratinë.
Të pakëtë që kuxuan
E s'ikënë si të tjerët,
Dëm e kotë u munduan,
E pësuanë të mjerët.
Rrëmet'i faqes së dheut,
Të vij më një vënt' i tërë,
S'ja dilte dot Skënderbeut,
E gjë s'kishte për të bërë.
Menjëherë Shqipërija
E hoqi cipën e zisë,
Dolli në shesht mirësija,
Ra dritëz' e Perëndisë.
U hoq nata, erdhi dita,
Gazi, kamja, dashurija,
E vërteta, miqësija.
Mbretëritë e dëgjuan
Se u bë mbret Skënderbeu,
Mbretëtë gjith' u gëzuan,
Këjo punë u pëlqeu.
Dërguanë më të parë,
Me miqësi, me uratë,
Njerzët të urt' e të mbarë
Te mbreti i madh jetëgjatë
Me mënyrë të pëlqyer
E me shumë nder i priti
Mbreti, edhe më të kthyer,
Gjer në funt të shkallës zbriti.
Nga gjithë mbretrët m'i madhi,
Që ishte burr' i vërtetë,
Dhe shum' i ndjerë, Hynjadhi,
Erth te Skënderbeu vetë,
Pa u ngrit dhe erdhi vetë
Dhe Vlladislla si Hynjadhi,
Ndënjnë ditë shtat' a tetë
Te shpirt e zëmërëmadhi;
Erdh' e panë Skënderbenë,
Mbren e ri të Shqipërisë,
Q'emër i tij mori dhenë
Si emër' i Perëndisë
Mblodhi pleqt' e parësinë,
Si përsolli dhe Hynjadhë,
E Vladisllën, Shqipërinë
E vu në sër' e ndë radhë,
Mbretëri ishte lirija,
Që kish çdo shqipëtar pjesë,
Ligë ishte njerëzija,
Vëllezërija ish besë.
Si e ndritoj Shqipërinë,
Vuri punëtë me radhë,
Vate të shihte shtëpinë,
Po ç'të shohë! një gërmadhë!
Mall'i sat ëm'e tyt eti,
Skënderbe! atje të shpuri,
E madhe gjëmë të gjeti!
Ra qielli e të zuri!
Dallëndysheja kur kthehet
E gjen prishurë folenë,
Qysh qëndron e mallëngjehet?
Ashtu e gjet Skënderbenë.
Gjësendi s'kishte harruar
Të kohës' së miturisë,
I kishte ndë krahëruar,
Me mallthit të njerëzisë!
Pa andaj shum' u helmua,
Se s'i gjet si i kish lënë,
Me psherëtim' u mejtua,
Tha: "Nukë qënka thënë!"
Ja mbuloj zëmrënë zija,
Lottë si gurra i vanë,
Në gjith ato të këqija
Përnjëherë erdh' i thanë"
"Motërat' e zotërisë
Të gjitha bashkë po vinë",
Pa mbreti në mest të zisë
Ndjeu gaz' e la shtëpinë.
Me vrap si ***ti u kthye,
Të shihte motrat' e tija,
Zëmëra ju përdëllye,
I dha durim Perëndija,
Të gjorat motra kur panë
Mbrenë trim të Shqipërisë,
Të vetëmëthin vëllanë,
Ëngjëllin' e Perëndisë,
Që më s'e kishinë parë,
Si e mori penk Turqija,
Në foshnjëri ishin ndarë,
Dhe q'atë dit' u ra zija;
Pa i kishin shumë mallë
N'ato ditët të këqija,
I kishinë sy në ballë
E shpresë nga Perëndija;
Papo bashkëzë të pesa
Në mest të tyr'e rrethuan,
U zbriti nga Zoti shpresa,
Me mall shum' e përqafuan.
Zot' i math e i vërtetë!
Emri yt qoft' i lëvduar,
Të qofshim falë për jetë,
Mos qofshim teje mërguar!
Ti i dhe nder mirësisë,
Dhe zëmrës' së mallëngjyer
Në vajt e në mest të zisë
Ngushëllimn' i ke rrëfyer!
Skënderbe, pa lere vajnë,
Se po vinë shqipëtarët,
Dhe burratë trima s'qajnë,
Lëre, pa lëre të qarët,
Se 'shtë në gas Shqipërija,
Q'erdhe ti, mbret i vërtetë,
Sikur zbriti Perëndija
Nga qiejt' e lartë vetë.
Pa këndo me ëmbëlsirë,
O ëngjëll i ligjërisë,
Atë burrë trimn' e mirë,
Q'i dh'aqë nder Shqipërisë.
Këndo, këndo Skënderbenë,
Që s'ka pasur shok në jetë,
Që lartësoj mëmëdhenë,
Kordhëtari trim me fletë!
Lum ti, Shqipëri, o lule,
Që pate trim të vërtetë,
Kurrë në turp nuk' u ngule,
Të la nder të math përjetë!
Mos ki keq, se kurdoherë
Do ta kesh ditën' e mbarë,
Koha ty do të ta bjerë,
Si ta pat prurë më parë,
Po të dojë fati, plaku,
Të t'apë foshnjë të rezë,
Qumësht të bënetë gjaku,
Dhe më s'sheh ditë të zezë.
O kohë, që rrjeth si lumi
Edhe s'rri gjëkundi fare,
As dremit, as të zë gjumi,
Dhe më t'errët hiqesh xvarrë,
Hapu, hapu, errësirë!
Të shoh mbren' e Shqipërisë,
Trimn' e bukur' e të mirë,
Nder' e gjithë njerëzisë,
Rrethuar me burra trima,
Shqipëtarë të vërtetë,
Me fjal' e pa blegërima,
Me mënt e pa gjë të metë,
Në fjalë t'urt' e të qetë,
Të but' e të kupëtuar,
Në luftë trima me fletë,
Posi kuajt' e harbuar,
Qysh duken yjtë kur erret,
Që ndrijnë në hapësirë,
Edhe në mes të të tjerët
Prëma ndrin shumë më mirë, { Yll i Mbrëmjes, Afërdita }
Ashtu edhe ti më ndrinje,
Mbret i math i Shqipërisë,
Në mest të shokëvet rrinje
Posi drit' e Perëndisë.
Zoti dha një vetëtimë,
I tërë qielli ndriti,
Një gjëmim, një kërcëllimë,
Malet' e lart' i trënditi.
Oshëtimë dha Tomori,
Edhe zjarr e flakë qiti,
Flaka qiellinë mori,
Gjithësija vetëtiti.
Këjo shënjë s'ish e pakë
Që dha Zoti mi Tomorë,
Nxori zjarr dhe zë e flakë
Nga majatë me dëborë!
Hodhë syt' e panë malë
Dhe gjithë më këmb' u ngrinë,
Kur më der u dha një djalë,
Tha: "Rrëmet i math po vinë."
Se fjala kish marrë vrapnë,
Pa kishte mbushurë dhenë,
E hapi sa mundi çapnë
Dh'e dëgjuan gjithë ç'qenë
Shqipërija anembanë
Ish në dasm' e në gëzime,
Ditën' e liris' e panë,
Që e pritin pa durime.
O liri e shënjtëruar!
Ëngjëlli i Perëndisë,
Erdhe me gëzim ndër duar,
I dhe dritë Shqipërisë.
Vallë kur do të vish prapë,
E të na sjellç atë ditë,
Përse rri pshjellë me napë?
Pa hiqe, të shohëm dritë!
Mbreti posi Perëndija,
Ishte mbyturë në dritë,
Rrij ndaj soje bukurija,
Edhe gjithë mirësitë
Mejtohej si të shpëtonjë
Mëmëdhenë nga mynxyra,
Ta ngrer' e ta lartësonjë,
Edhe i qeshte fytyra.
Parësin' e Shqipërisë,
Që i erdhi Skënderbeut,
Ati' mbretit t'urtësisë,
Mbretit trim të mëmëdheut,
Ti ëngjëll, do të ma thuash,
E të m'i sjellç në mënt mua,
Dhe një nga një të m'i quash,
Si ç'i ka ndër mënt të tua.
Nga gjithë, q'erdhë, m'i parë,
Dukagjini, mbret i ndjerë,
Që s'pat shok nër shqipëtarë,
Dhe Zahari me të tjerë,
Sicili nga vend' i tija
U nis e gjithë u derdhë,
Të shumë si mizërija
Skënderbeut miq i erdhë.
Mëndjeshumi Araniti { Aranit Komneni }
Me shumë shokë të ndjerë
Pej Vlore me vrap arriti,
Edhe të tjer' e të tjerë,
Tanush Topja dhe Gjon Shpata,
Të parët' e Shqipërisë,
Erdhë edhe Lato Gjata
Ndë rrëmet të parësisë,
Edhe Maneshi nga Berati,
Moisi Dibrani burrë,
Shumë të parë nga Mati,
Trima të patrëmbur kurrë
Prens' i perëndishm' Urani,
Që kish shum' emrë qëmoti,
Me burra nga Elbasani,
Edhe Boshdar Nartioti,
Palë Dushmani i ndjerë,
Dhe bukuroshi Gjon Kokë,
Një i parë nga çdo derë
E me shumë trima shokë.
Trimatë nga Malësija
Erdhë me armë të lara,
U çkul gjithë Shqipërija,
Kshu ishin kohët' e para.
Gjithë erdh' e u gëzuan
Kur e panë Skënderbenë,
Dhe me gas van' e qafuan
Si vëllezërë që qenë
Me zemrë të dëshëruar
Mbreti të gjithë i priti,
Me fytyrë të gëzuar,
I qafoj e i gostiti.
Në mest të ati' rrëmëti,
Q'ishin mbledhur të tërë
E ish mbushurë qyteti,
S'kish ku yë hithnje gjilpërë,
U ngrit mbreti i ndjerë,
Fjalëëmbëli zëbukur,
Araniti mendjegjerë,
Q'ish i hijshëm' e i dukur,
Gjithë trimatë pushuan,
Vunë vesh ndë fjalë mirë,
Plaknë me mënt e dëgjuan,
Që flit me shum' ëmbëlsirë.
Tha: "Vëllezrë shqipëtarë!
Ju miqthit' e Skënderbeut,
Mbretrë, zotërinj, të parë,
Gjithë djemt' e mëmëdheut!
A e dini, sot, o shokë,
Rrezik i math nga Azija
Na ka ardhurë mi kokë,
Po s'poshtetë Shqipërija;
Zot'i madh pastë lëvdatë
Që nuk e la Shqipërinë
Pa zot, pa mbret e pa atë,
Kurrë s'ja zbriti fuqinë,
Mbret i gjithë Shqipërisë
Sot të jetë Skënderbeu,
Erdhi ng'an' e Perëndisë,
Të shpëtonjë mëmëdheu;
Gjithë, ç'jemi shqipëtarë,
Këtë zot për mbret ta njohim,
Dhe për të math e të parë,
Pa ashtu punë të shohim;
Në doni që të shpëtojmë,
Çë të thot' ajy të bëjmë,
Fjalën' e tij ta dëgjojmë
Dhe kurrë të mos bëzëjmë.
Se turku kërkon ta hedhë
Në robëri Shqipërinë,
Në zi, në brengë, në zgjedhë,
Pa rreh ta bënjë të tinë.
Po nukë humb trimërija,
Shqipëtarët s'e harrojnë,
Do t'i ndritonj' urtësija,
Se t'urtëtë kupëtojnë."
Kshu the, plak i perëndishmë!
Mbret' i ndjer' e i lëvduar!
T'ish njeriu i tanishmë,
Mase s'të kishte dëgjuar;
Po ata të gjithë ç'qenë,
Zotërinjt' e urtësisë,
E njohnë mbret Skënderbenë,
Mbren' e gjithë Shqipërisë,
Mbret mbi mbretërët të tjerë,
Mbi gjithë ç'ishin të parët,
Mbret e trim e burr' i vlerë
Përmbi gjithë shqipëtarët.
Gjithë përnjëherë thirrë
Parësija dhe rrëmeti
Me gas shum' e me dëshirë,
Sa u tunt gjithë qyteti:
"Mbret i gjithë Shqipërisë
Do të jetë Skënderbeu,
Edhe hij' e Perëndisë,
Q'i kish mallë mëmëdheu."
Paskëtaj të gjithë ç'qenë
Mbledhur atje atë ditë,
E rrethuan Skënderbenë,
Ajy në mest posi dritë
Së pari mbretëtë vanë
Edhe pleqtë e të parët,
Dorën' e besën' i dhanë,
Pastaj gjithë shqipëtarët.
Papa edhe mbretëritë
E njohnë mbret Skënderbenë,
Edh'e njohnë q'atë ditë
Më të math nga gjithë ç'qenë
Të gjith' e vunë të parë,
Kordhëtar' e Shqipërisë,
Të math mi gjith' ushtëtarë,
Se do t'i binin Turqisë,
Sa nder mori Shqipërija,
Edhe ç'emrë shqipëtari,
N'ato ditët të atija,
Q'u bë nga gjithë m'i pari!
Ishte i par' i të paret,
Edhe krej'i ushtërisë,
Ball' i gjithë luftëtaret
Dhe i gjithë njerëzisë.
Skënderbe, o jetëgjatë,
Më nise këngë dhe valle,
M'u zbavite dit' e natë,
Me miqthit' e tu u çmalle!
Sa lodra e sa gëzime!
Sa gjahe dhe bredhj' e vrape,
Dhe kalori e dëfrime,
Derën' e parajsës hape!
Kuajvet, që hingëllinin,
Flak' u delte nga potkonjtë,
Dhe armët' e lara ndrinin,
Me vrap nxitonin langonjtë.
O kohë që nxiton shumë,
Poshtë kurrë nukë bije,
Po ikën me vrap si lumë,
Ato që merr, ku i shpije?
Shtrigë, kuçedr' e pabesë!
Ha djemthitë q'i pjell vetë!
Asnjë nukë munt të mbesë
Pa ngrën' ajo goj' e shkretë?
Edhe dielli, q'ep dritë,
Edhe hëna do të vdesë?
Edhe yjtë nonjë ditë
Do t'i hash me të pabesë?
Evropa ishte e shuar
Edhe gjithë njerëzija
Nga frika ishte tmerruar,
Prit' shpëtim nga Shqipërija.
Gjithë mbretrëtë që qenë,
Shqipëris' i prunë besë,
Dhe mbren' e saj, Skënderbenë,
E kishin të par' e shpresë,
Ç'u bë emr'i Shqipërisë,
Dhe liri e saj e ndjerë?
Ajo drit' e Perëndisë
Vallë më s'vjen tjatrë herë?
Në kurt kurrë Shqipërija
Nukë hyri, e në zgjedhë
S'e ka shtënë Perëndija
Edhe nukë do ta hedhë,
Po kërkon emrin' e vjetrë
Dhe nderë që pat njëherë
E s'e kish nonjë vent tjetrë,
Zoti sërish do ta bjerë.
1/17/15
1/15/15
Dëshmorëve
O ata t'lumtë, qi dhanë jetën,
qi për Mbret e vend të Parëve,
qi për erz e nderë t'Shqiptarëve
derdhën gjakun tue luftue,
porsi t'Parët u pa'n punue!
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina,
but u kjofshin moti e stina,
ak'lli, bora e serotina:
e der' t' këndojë n'mal ndo' i Zanë,
e der' t' ketë n' detë ujë e ranë,
der' sa t'shndërisin diellë e hanë,
ata kurr mos u harrojshin,
n'kangë e n'valle por u këndojshin.
E njaj gjak, qi kanë dikue,
ban, o Zot, qi t'jesë tue velue
për m'ia xe zemrën Shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t'Parit!
Subscribe to:
Posts (Atom)