E vranët ishte ajo ditë,si sot,pa shi
Veq s’ishte gusht,por nëntor
Me përtes ecte kortezhi drejt varrit
Dhembje e madhe zihej në kraharor.
Asnjëri s’ngutej,
S’mund të pajtoheshim që s’do ta shihnim më
Lotët rridhnin faqeve të zbehta
S’ndihej asnjë zë.
E vranët ishte ajo ditë
Heshtjen prishte vetëm zhurma e vajit
Ishte vaj edhe më i vranët se dita
Kortezhi ecte ngadalë drejt varrit.
Përtonim por megjithatë ecnim
Oh! Pse ecnim,pse nuk ndaleshim në vend?
Për të zgjatur së paku takimin e fundit.
Për t’a shuar mallin,t’vetmin melhem
Ecte kortezhi.
I vdekuri shtrihej gjatë në tabut
Dhëmbët i kishte të shtrënguar
Flokët të shpupuritur,ballin e zbehtë.
Në ballë dukej shenja që kishte lënë plumbi i gjaksorit
Kur e kishte goditur nga larg
Ai ishte rrëzuar atëherë
Por s’ishte dorëzuar.
E vranët ishte ajo ditë
Dëshmori çohej në varr
Ecte kortezhi me lot në sy
Dhembja barazohej me një mal.
Ç’thoshin duart e tij në pozicion lufte
E kuptuan të gjithë:
Shokët,miqtë,njerëzit e tjerë
E kuptoi edhe moti I lig.
Nëna vështir e kishte pritur lajmin e zi
Më keq s’do ta ndjente as sëpatën mbi trup
Dhëmbët kishte shtrënguar,lotët kishte ndalur
Kishte filluar monologun e saj të pafund.
Ishte po ky monolog që e bënte në kortezh
I fliste birit të saj që tani më s’e kishte
E kujtonte,e dëshironte,e përshëndeste,e porosiste…
Të “zjarrta”plot dhembje,ishin këto fjalë
Ato s’ishin fjalë,ishin vetë jeta
Ishte shndërruar jeta në fjalë
Tani kur djalin ia kishte rrëmbyer vdekja.
Fjalët që përmbajnë një jetë
Nuk mund të shqiptohen
Vetëm pëshpëriten,
Kënga për dëshmorin nuk krijohet,ajo vetëm këndohet.
Atë ditë e vranët ishte koha
Por më të vranët ishin njerëzit
E dija se për mua po niste një jetë e re
Me brenga e shqetësime për ty atdhe.
shkruar nga Fahri Fazliu, ne rrugen e Bledit, Prishtine
(Fahriu, vellai i Bahri Fazliut i cili se bashku me Afrim Zhitine rane duke luftuar me forcat jugosllave me 2 Nentor 1989, gjithashtu u vra nga nje prite serbe ne Bjeshken e Bogiqes ne Plave ne Maj te 1998)